KOMF: Pediatria përballet me mungesë personeli, barna dhe kushte jo të përshtatshme
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka ngritur shqetësimin për gjendjen e shërbimeve shëndetësore për fëmijët në Kosovë, duke theksuar se, ndonëse e drejta për kujdes shëndetësor falas është e garantuar me ligj, në praktikë fëmijët vazhdojnë të përballen me sfida serioze në qasje dhe cilësi të shërbimeve. Në një komunikatë për media,…
Lajme
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka ngritur shqetësimin për gjendjen e shërbimeve shëndetësore për fëmijët në Kosovë, duke theksuar se, ndonëse e drejta për kujdes shëndetësor falas është e garantuar me ligj, në praktikë fëmijët vazhdojnë të përballen me sfida serioze në qasje dhe cilësi të shërbimeve.
Në një komunikatë për media, KOMF rikujton se Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës garanton kujdes shëndetësor falas për fëmijët, ndërsa përgjegjës për zbatimin e kësaj të drejte është Ministria e Shëndetësisë.
Sipas një hulumtimi të realizuar nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, organizatë anëtare e KOMF-it, në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit dhe atë të Gjilanit, pacientët e repartit të pediatrisë janë renditur ndër më të pakënaqurit krahasuar me repartet e tjera.
“Megjithatë, fëmijët vazhdojnë të përballen me sfida në qasjen dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore. Sipas hulumtimit të realizuar nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, organizatë anëtare e KOMF, në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit dhe Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit për matjen e kënaqshmërisë dhe përvojave të pacientëve, janë evidentuar mangësi të shumta, veçanërisht në shërbimet shëndetësore për fëmijët”, thuhet në komunikatë.
KOMF thekson gjithashtu se Klinika e Pediatrisë vazhdon të përballet me mungesë të personelit shëndetësor dhe mbingarkesë të vazhdueshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve për fëmijët.
Në komunikatë vlerësohet se funksionalizimi i Spitalit të ri Kirurgjik Pediatrik ka sjellë përmirësime në nivelin terciar të kujdesit shëndetësor, megjithatë një pjesë e madhe e shërbimeve pediatrike vazhdon të ofrohet në objektin e vjetër të Klinikës së Pediatrisë, i cili, sipas KOMF-it, nuk plotëson standardet për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe dinjitoze.
“Pacientët e Repartit të Pediatrisë u renditen ndër repartet me nivelin më të ulët të kënaqshmërisë krahasuar me pacientët e reparteve të tjera. Në këtë kanë ndikuar faktorë të ndryshëm, si qasja ndaj pacientëve, cilësia e shërbimeve mjekësore, infermierore dhe diagnostike, kushtet infrastrukturore dhe higjiena, furnizimi me barna, cilësia e ushqimit, etj. Të dhënat po ashtu tregojnë se niveli i higjienës në repartet e pediatrisë është më i ulët krahasuar me repartet e tjera, duke ngritur shqetësime serioze për cilësinë dhe sigurinë e kujdesit që u ofrohet fëmijëve”.
Sipas Kartës së Vlerësimit të publikuar nga KOMF, sipas tyre, një nga sfidat kryesore në kujdesin sekondar dhe terciar mbetet mungesa e personelit shëndetësorë dhe mbingarkesa e klinikave të pediatrisë.
“Klinika e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës vazhdon të punojë me kapacitete të kufizuara dhe me mbingarkesë të vazhdueshme. Numri i personelit shëndetësor mbetet i pamjaftueshëm në raport me numrin e pacientëve fëmijë, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e ofrimit të shërbimeve. Funksionalizimi i Spitalit të ri Kirurgjik Pediatrik ka përmirësuar përkujdesjen shëndetësore për fëmijët në nivel terciar, duke integruar shërbimet e emergjencës pediatrike, traumës, rikuperimit, si dhe ambulancat specialistike pediatrike dhe kirurgjike. Megjithatë, një pjesë e madhe e shërbimeve pediatrike vazhdon të operojë në “objektin e vjetër të Klinikës së Pediatrisë”, në kushte infrastrukturore absolutisht të pa pranueshme që nuk përmbushin standardet për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe dinjitoze për fëmijët”, thuhet në komunikatën e KOMF.
Një tjetër shqetësim mbetet mungesa e barnave dhe materialeve shpenzuese në institucionet publike shëndetësore. Sipas KOMF-it, prindërit shpesh detyrohen t’i blejnë vetë barnat, përfshirë edhe ato nga Lista Esenciale, gjë që krijon barrë financiare për familjet dhe cenon qasjen e barabartë në kujdesin shëndetësor.
“Edhe pse Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës garanton kujdes shëndetësor falas, në vazhdimësi raportohet nga prindërit dhe mediat për mungesë të barnave dhe materialeve shpenzuese në kujdesin parësor shëndetësor, spitalet rajonale dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Mungesa e barnave dhe terapisë së nevojshme mund të ketë pasoja serioze për shëndetin e fëmijëve, ndërsa në mungesë të tyre, prindërit detyrohen t’i sigurojnë ato me shpenzimet e tyre, edhe kur bëhet fjalë për barna nga Lista Esenciale. Kjo cenon parimin e qasjes së barabartë në kujdesin shëndetësor dhe krijon barrë financiare për familjet”.
Sipas KOMF, institucionet publike aktualisht nuk disponojnë të dhëna për nivelin e kënaqshmërisë së pacientëve me shërbimet shëndetësore për fëmijët, pasi sipas tyre, nuk ekziston një sistem monitorimi për matjen e përvojës dhe kënaqshmërisë së pacientëve.
“Përvojat e pacientëve duhet të shërbejne si një burim i rëndësishëm për identifikimin e mangësive dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, ndërsa përjashtimi i tyre nga procesi i vlerësimit është i pa paranueshëm dhe rrezikon që problemet reale të mbeten të padukshme dhe të paadresuara. Është e domosdoshme që institucionet shëndetësore të ndërmarrin masa urgjente për përmirësimin e kushteve, rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe garantimin e shërbimeve cilësore me në qendër fëmijën. Zëri i prindërve duhet të jetë pjesë e pandashme e çdo vendimmarrjeje për shëndetësinë”, tha KOMF.