KOMF-i bën thirrje për reforma urgjente në sektorët që prekin jetën e fëmijëve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka thënë se në Kosovë është situatë e rënduar e të drejtave të fëmijëve. Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, KOMF-i ka  bërë thirrje për reforma urgjente dhe sistematike në të gjithë sektorët që prekin jetën e fëmijëve. Përmes një komunikate për media, KOMF-i ka theksuar se fëmijët nën 18…

Lajme

01/06/2025 08:41

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka thënë se në Kosovë është situatë e rënduar e të drejtave të fëmijëve. Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, KOMF-i ka  bërë thirrje për reforma urgjente dhe sistematike në të gjithë sektorët që prekin jetën e fëmijëve.

Përmes një komunikate për media, KOMF-i ka theksuar se fëmijët nën 18 vjeç përbëjnë rreth 28% të popullsisë së Kosovës, por përballen me një sistem të brishtë të mbrojtjes që rrezikon mirëqenien dhe zhvillimin e tyre.

Sipas kësaj komunikate, sistemi aktual i mbrojtjes sociale i përbërë nga skemat dhe shërbimet sociale mbetet reaktiv dhe jo parandalues përmes fuqizimit të familjeve dhe qytetarëve. Skemat sociale dhe shërbimet mbulojnë mbi 15% të popullsisë në Kosovë, por investimet nuk janë të mjaftueshme për të zbutur varfërinë dhe reduktuar pabarazitë mes fëmijëve.

“Skema e asistencës sociale vazhdon të ketë kritere diskriminuese për fëmijët, ndërsa shtesat për fëmijë nuk përfshijnë fëmijët e moshës 16-18 duke diskriminuar këtë grupmoshë”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu theksohet qëndrueshmëria financiare e shërbimeve sociale, që sipas këtij koalicioni, mbetet ndër sfidat kryesore “duke rrezikuar reduktimin e shërbimeve për fëmijët dhe duke mohuar kështu të drejtat themelore për mbrojtje dhe mirëqenie të fëmijëve të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

KOMF ka nënvizuar se sipas të dhënave të fundit të disponueshme, 72% e fëmijëve në Kosovë përjetojnë forma të dhunshme të disiplinimit brenda mjediseve familjare.

“Rreth 600 fëmijë janë pa kujdes prindëror. 5% e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë të rënda. Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2020, ende nuk ka gjetur zbatim plotësisht. Shërbimet parandaluese dhe programet e parapara në këtë ligj nuk janë themeluar akoma. Kapacitetet e limituara financiare dhe njerëzore kanë krijuar një sistem të mbrojtjes së fëmijëve, ku sistemi trajton dhe menaxhon rastet e rënda emergjente të cilëve ju rrezikohet siguria apo mirëqenia apo rastet e fëmijëve pasi kanë rënë viktimë e ndonjë forme të abuzimit”, thuhet në komunikatë.

Sipas KOMF-it, Kosova vazhdon të ketë nivelin më të ulët të përfshirjes së fëmijëve në edukimin parashkollor krahasuar me vendet e rajonit, me vetëm 15% e fëmijëve në Kosovë të moshës 3 – 4 vjeç që ndjekin programet e zhvillimit ne fëmijërinë e hershme.

Theksohet se sistemi arsimor përballet me sfida dhe probleme të shumta.

“Kalueshmëria në Testin e Arritshmërisë ishte vetëm 52.1%. Ndërkaq, ‘PISA’ e ka renditur Kosovën në vendin e 76-të nga 80 vende pjesëmarrëse, duke shënuar rezultate të ulëta në cilësinë e arsimit. Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara është e kufizuar me vetëm 3,903 fëmijë me aftësi të kufizuara të përfshirë në klasat e rregullta. Në anën tjetër, nga 1,044 institucione arsimore, vetëm 609 prej tyre ofrojnë qasje fizike për fëmijët me aftësi të kufizuara, ndërsa mungesa e stafit mbështetës është kritike”, thuhet në njoftim.

KOMF ka theksuar se në fushën e shëndetësisë, shpenzimet nga xhepi për trajtimin e fëmijëve mbeten të larta për shkak të mungesës së sigurimeve shëndetësore. “Shërbimet për shëndetin mendor të fëmijëve  në institucionet publike janë pothuajse inekzistente, me vetëm 7 psikiatër për fëmijë, 10 specialistë të psikologjisë klinike dhe 2 psikologë klinikë në të gjithë vendin. Ndërkohë që mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogës ka rënë nga 18 në 16 vjeç dhe numri i përgjithshëm i përdoruesve të këtyre substancave ka kaluar 30,000, Kosova ende nuk ofron shërbime dhe programe parandaluese dhe rehabilituese për fëmijët dhe adoleshentët përdorues të këtyre substancave”.

KOMF deklaron se delinkuenca e të miturve vazhdon të rritet vit pas viti, ku gjatë vitit 2024 nëpër të gjitha Prokuroritë Themelore, janë pranuar 1994 kallëzime penale të reja me 3073 të mitur si kryes të veprave penale.

 Nisur nga kjo situatë, KOMF bën thirrje për ndërmarrjen e veprimeve urgjente:

·    Hartimi dhe zbatimi i politikave dhe programeve për mbështetjen dhe fuqizimin e familjeve, fuqizimin ekonomik; Miratimi i Ligjit të ri për Asistencë Sociale, largimi i kritereve diskriminuese për fëmijët; Reformimi i shtesave për fëmijë, rritja e shumës mujore dhe përfshirja e moshës 17-18 vjeç në kuadër të tyre;

·       Miratimi i Projektligjit për të Drejtat, Vlerësimin, Trajtimin dhe Njohjen e Statusit, Shërbimet dhe Përfitimet për Personat me Aftësi të Kufizuar;

·    Themelimi i linjës telefonike falas për mbrojtjen e fëmijës dhe themelimi i shtëpive për mbrojtjen e fëmijëve sipas Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës;

·       Themelimi i shërbimeve dhe programeve për parandalimin e përdorimit të drogave nga fëmijët;  Organizimi i ekipeve mobile në komunitet për identifikim, testim dhe mbështetje të rasteve të fëmijëve viktima të abuzimit me droga; Themelimi i shërbimeve për fuqizimin e prindërve për kujdesin dhe mbështetjen e fëmijëve gjatë rehabilitimit dhe re-integrimit;

·       Rritja e burimeve njerëzore brenda institucioneve publike shëndetësore për shëndetin mendor;

·       Rritja e numrit të institucioneve parashkollore dhe e përfshirjes së fëmijëve në nivelin parashkollor;

·       Rishikimi i planprogramit mësimor, rishikimi i kurrikulave dhe rishikimi i teksteve shkollore; Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve dhe mbështetja dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional i tyre;

·     Rritja e numrit të mësuesve mbështetës, asistentëve mbështetës për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe sigurimi i qasjes fizike për ta, në shkolla;

·       Themelimi i qendrave apo shtëpive të specializuara për trajtimin dhe rehabilitimin e fëmijëve në konflikt me ligjin, nën moshën e përgjegjësisë penale