KOMF: 61.4% e fëmijëve pësojnë nga dhuna psikologjike dhe/apo ndëshkimi fizik
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), duke iu referuar anketimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, bëjnë të ditur se rreth 61.4% e fëmijëve deri në moshën 14 vjec, kanë pësuar nga dhuna psikologjike apo ndëshkimi fizik nga anëtarët e ekonomisë familjare vetëm gjatë muajit të fundit.
Lajme
Më tej 59% e fëmijëve kishin pësuar nga dhuna psikologjike, përderisa 24% kishin pësuar nga ndëshkimi fizik. Kjo për arsye se modelet e disiplinimit në Kosovë shpeshherë orientohen drejt dhunës fizike dhe emocionale.
KOMF rekomandon rritjen e investimeve nga Qeveria dhe Komunat në krijimin e shërbimeve për parandalim, përfshirë krijimin e programeve për prindërit dhe profesionistët që janë në kontakt me fëmijët për metodat e disiplinimit pozitiv të fëmijëve.
Komunikata e plotë:
Të dhënat tregojnë për shkallë të lartë të dhunës të ushtruar ndaj fëmijëve. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 61.4% e fëmijëve të anketuar deri në moshën 14 vjec, kanë deklaruar se kishin pësuar nga dhuna psikologjike dhe/apo ndëshkimi fizik nga anëtarët e ekonomisë familjare gjatë muajit të fundit nga data e intervistimit. 59% e fëmijëve kishin pësuar nga dhuna psikologjike, përderisa 24% kishin pësuar nga ndëshkimi fizik. Kjo për arsye se modelet e disiplinimit në Kosovë shpeshherë orientohen drejt dhunës fizike dhe emocionale.
Veprimet e Kosovës për të parandaluar format e dhunës ndaj fëmijëve janë më të dukshme në ligjet, politikat dhe protokolet e saja. Ndërkohë që kapaciteti i Kosovës në krijimin e shërbimeve të përshtatshme për parandalimin e dhunës, mbrojtjes dhe re integrimit të viktimave mbetet i kufizuar.
KOMF rekomandon rritjen e investimeve nga Qeveria dhe Komunat në krijimin e shërbimeve për parandalim, përfshirë krijimin e programeve për prindërit dhe profesionistët që janë në kontakt me fëmijët për metodat e disiplinimit pozitiv të fëmijëve. Rekomandohet investimi për fuqizimin e mekanizmave për identifikim dhe raportim të rasteve të dhunës. Fokus i madh duhet ti jepet investimit në krijimin e shërbimeve cilësore për mbrojtjen, dhe re integrimin afatgjatë të viktimave të dhunës dhe abuzimit, përmes financimit të qëndrueshëm të shërbimeve për Qendrat për Punë Sociale, strehimoret dhe organizatat tjera të cilat ofrojnë strehim, rehabilitim dhe re integrim për fëmijët viktima. KOMF rekomandon rritjen e efikasitetit të organeve të rendit dhe drejtësisë për trajtimin e rasteve të dhunës dhe abuzimit.
KOMF rithekson që dhuna ndaj fëmijëve është e pa pranueshme dhe është vepër penale e sanksionuar me legjislacionin penal në fuqi dhe obligim ligjor i secilit qytetar dhe profesionist për ta raportuar atë.
Prindi, kujdestari apo personi tjetër që ushtron autoritet prindëror mbi fëmijën, i cili keqtrajton fëmijën duke përdorur masa fizike apo psikologjike ose shkel detyrimin e tij për përkujdesje dhe edukim të fëmijës, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet.
Kushdo që ka arsye për të dyshuar se një fëmijë ka pësuar një incident të abuzimit, keqtrajtimit, braktisjes apo moskujdesit dhe nuk raporton menjëherë abuzimin ose moskujdesin, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.
Kushdo që gjatë angazhimit profesional lidhur me fëmijën, ka arsye për të dyshuar se fëmija ka pësuar incident të abuzimit, keqtrajtimit, braktisjes apo moskujdesit ose ka qenë i nënshtruar ndaj dhunës apo kanosjes për përdorim të dhunës, dhe nuk e raporton menjëherë rastin, dënohet me gjobë ose me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.
KOMF do ti bashkangjitet protestës së organizuar sot kundër dhunës.