Komandanti i shqiptarëve në ISIS: Të vriten ata që ndihmuan kthimin e Erionit

Ridvan Haqifi, imam kosovar dhe komandant i shqiptarëve në ISIS, ka dhënë urdhër që të vriten ata që ndihmuan në rikthimin e fëmijës së kidnapuar nga babai i tij, Erion Zena, te nëna e tij. Ai kërkon në veçanti kokën e xhihadistit Fitim Lladrovci, të cilin e ka shpallur ish-mysliman, një thirrje për ta vrarë atë, nga çdo mysliman që mund të takohet me të.

Lajme

03/11/2014 15:48

Imami kosovar, Ridvan Haqifi, që komandon xhihadistët shqiptarë në kuadër të organizatës terroriste Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit (ISIS) ka dhënë urdhër që të ekzekutohen të gjithë ata që ndihmuan në aksionin e inteligjencës për nxjerrjen nga Siria të Erion Zenës, fëmijës që ishte grabitur nga baba i tij, terroristi Arben Zena.

Këtë urdhër, Ridvan Haqifi, i njohur si “Ridvan El-Albani”, e ka shpërndarë te xhihadistët e përfshirë në konfliktin sektar në Siri e Irak, por edhe tek pasuesit tyre jashtë trevave të konfliktit, përfshirë edhe ata në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Urdhri, i shpërndarë përmes grupeve të mbyllura në rrjetet sociale, që është praktika e re e komunikimit të xhihadistëve, është i qartë: të vritet si i dalë nga feja, “Murted”, gjithsecili që ndihmoi në këtë aksion, pwr kthimin e Erionit nga Siria.

“Murtedi” (ish-myslimani), sipas mësimeve islame lejohet që të vriten dhe për këtë përdoren si fakt të gjitha burimet e së drejtës islame.

Komandanti i shqiptarëve në ISIS, Ridvan Haqifi (që zëvendësoi në komandë terroristin Lavdrim Muhaxherin), është një imam i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) dhe një nxënës special (talebe) i imamit tjetër të BIK-ut, Zekirja Qazimi i arrestuar për rekrutim të xhihadistëve.

Ky imam ka dhënë edhe një emër konkret se kush duhet të vritet.

Fitim Lladrovci

“Ridvan El-Albani” kërkon kokën e xhihadistit nga Drenica, Fitim Lladrovci, për të cilin beson që ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në operacionin sekret me anë të të cilit u soll te nëna e tij fëmija Erion Zena.

Burime të Express brenda inteligjencës kosovare që ka qenë e përfshirë në këtë aksion kanë bërë me dije se ky xhihadist nuk ka qenë i përfshirë në këtë aksion, pasi që ai nuk ka operuar në zonën nga ku është nxjerrë Erioni.

Fitim Lladrovci nga fshati Gllanasell i Drenasit në dhjetor të vitit 2013, së bashku me Nexhdet Berishën kishte udhëtuar për në Turqi e pastaj nga aty kishte kaluar në Siri. Lladrovci ishte rikthyer në Kosovë përmes aeroportit “Adem Jashari” po atë muaj.Në kthimin e tij ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi që në shtëpinë e tij ishte gjetur një Zollë (raketë dore) me një maskë të shkruar në gjuhën arabe, mirëpo ishte liruar, pasi që është futur në procedurë të rregullt.

Që prej lirimit të tij, ai kishte vazhduar propagandën e tij, e cila bënte thirrje për përkrahje dhe bashkëngjitje në luftën e Sirisë përmes faqes zyrtare të “Facebook”-ut.

Në muajin maj të vitit 2014 Lladrovci kishte kaluar pikën kufitare Kulla për në Mal të Zi dhe prej atje kishte fluturuar në Stamboll dhe më pastaj sërish në xhihad në Siri.

Më vonë, ai ishte paraqitur vullnetarisht për të kryer “amelije”- sulm kamikaz, por nuk arriti që ta bënte këtë, ani pse i kishte përshëndetur të gjithë ndjekësit e tij në Facebook publikisht kur u nis për mision.

Ndryshe, grabitja e Erionit nga e ëma, është bërë në kuadër të lëvizjes xhihadiste të organizuar në Kosovë për dërgim të luftërave kosovarë në kampet e ISIS’it dhe krahut zyrtarë të AL-Kaida’së në Siri, Xhabhatu Al-Nusra.

Të dhëna të vjetra të OSBE-së dhe CIA-së thonë se në Siri e Irak, si xhihadistë, janë përfshirë mbi 150 kosovarë, derisa numri mund të jetë edhe më i madh, pasi që disa prej tyre, sikurse Arben Zena qenë kthyer dhe kishin marrë familjet e tyre edhe para se El-Bagdadi të lëshonte thirrjen e tij në ditën e parë të “Ramazanit 2014” për “hixhret” në shtetin e tij të ISIS’it (“hixhreti” është shpërngulja e shenjtë për t’u bashkuar në një shtet, në shtetin e Profetit Muhamed – sipas historisë islame).

Për ekzistimin e një lëvizjeje xhihadiste në Kosovë edhe Prokuroria e Shtetit ka nisur disa hetime anti-terrorizëm. Deri tash janë futur në procedura penale afro 100 kosovarë, nga xhihadistë të kthyer nga lufta në Siri e Irak e deri imamë të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) si dhe politikanë.

Në vetëm një aksion Prokuroria pati arrestuar 40 kosovarë nga një grup prej 57 personash për të cilët pati lëshuar fletë-arrest për pjesëmarrje në grupe terroriste dhje rekrutim për terrorizëm – një aksion që organi i akuzë, për çudi del që e ka kryer për një muaj hetim zyrtar.

Në një tjetër aksion, javë më vonë, u arrestuan mbi 10 imamë të BIK’ut, njërës nga pesë bashkësitë fetare që i njeh Ligji për Liritë Fetare, dhe që qe më shumë se një dekadë (edhe në mënyrë të kontestuar nga oponenca e brendshme) drejtohet nga Naim Tërnava, një ish-zëvendësministër i Hashim Thaçit. U raportua se edhe vetë Tërnava është intervistuar nga hetuesit e anti-terrorizmit për pranim të fondeve të dyshimta në bashkësinë fetare që ai drejton.

Në hetimin e lëvizjes xhihadiste në Kosovë, që çoi në llogoret e luftës në Siri e Irak qindra kosovarë, Prokuroria nuk e la anash as imamin më kontrovers kosovar, Shefqet Krasniqin që drejton xhaminë kryesore në vend dhe jep mësim në Fakultetin e Studimeve Islame (FSI) – organ i BIK’ut. Ai po hetohet edhe për shpëlarje parash, derisa Express kohë më parë ka pasur një intervistë me të ku është fokusuar kryesisht te financat e tij, e më vonë gazeta ka publikuar edhe fotografi nga pronat e tij në qendër të Prishtinës – shtëpitë vila dhe konviktin.

I arrestuar e në paraburgim është edhe Zekirja Qazimi – imam i BIK’ut dhe mësues i terroristit Lavdrim Muhaxheri e bashkëpunëtor i tij në shoqatën ‘Rinia Islame Kaçanik”, por edhe mësues i komandanti aktual të shqiptarëve në ISIS, Ridvan Haqifit (po ashtu ish-imam i BIK-ut).

Në këto hetime u arrestuan edhe imamë drejtues të televizioneve islamike, krye-imamë të BIK-ut si dhe drejtues të LISBA-s, përfshirë këtu edhe politikanin Fuad Ramiqi, një ish-komandant në UÇK- krahut të armatosur nga Qeveria kosovare në ekzil e Bujar Bukoshit dhe më vonë edhe anëtarë i listave për deputet të LDK-së. (GazetaExpress)