Komandanti i KFOR-it pret senatoren amerikane në Prishtinë, në fokus siguria në Kosovë dhe roli i SHBA-së
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në takim senatoren amerikane Joni Ernst, e cila është edhe anëtare e Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit amerikan. Takimi është zhvilluar në Shtabin e KFOR-it në Kampin “Film City” në Prishtinë, ku është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon. Sipas njoftimit të…
Lajme
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në takim senatoren amerikane Joni Ernst, e cila është edhe anëtare e Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit amerikan.
Takimi është zhvilluar në Shtabin e KFOR-it në Kampin “Film City” në Prishtinë, ku është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Sipas njoftimit të KFOR-it, gjeneralmajor Ulutaş ka paraqitur zhvillimet e sigurisë në rajon dhe ka theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të misionit të NATO-s për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.
Në takim, komandanti i KFOR-it ka shprehur gjithashtu mirënjohje për Shtetet e Bashkuara për kontributin e tyre të vazhdueshëm në misionin e udhëhequr nga NATO.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe për garantimin e lirisë së lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet në njoftim.
KFOR-i ka bërë të ditur se vazhdon bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe misionin EULEX, në përputhje me përgjegjësitë dhe rolet e tyre në aspektin e sigurisë.
Takimi me senatoren Ernst vjen në kuadër të kontakteve të vazhdueshme mes përfaqësuesve amerikanë dhe misionit të KFOR-it në Kosovë. /Lajmi.net/