Komandanti i KFOR-it flet për sigurinë në Kosovë: Nuk ka kërcënime të drejtpërdrejta
Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajori Ozkan Ullutash, ka deklaruar se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë dhe se aktualisht nuk ka tregues për kërcënime të drejtpërdrejta ndaj sigurisë, megjithëse ka paralajmëruar se tensionet e pazgjidhura, retorika nxitëse dhe dezinformimi vazhdojnë të paraqesin sfida që kërkojnë vigjilencë të vazhdueshme. Ullutash tha…
Lajme
Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajori Ozkan Ullutash, ka deklaruar se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë dhe se aktualisht nuk ka tregues për kërcënime të drejtpërdrejta ndaj sigurisë, megjithëse ka paralajmëruar se tensionet e pazgjidhura, retorika nxitëse dhe dezinformimi vazhdojnë të paraqesin sfida që kërkojnë vigjilencë të vazhdueshme.
Ullutash tha se KFOR-i mbetet plotësisht i gatshëm për t’iu përgjigjur çdo përkeqësimi të mundshëm të situatës, duke theksuar se misioni i NATO-s është i pajisur, i trajnuar dhe i pozicionuar për të reaguar shpejt në rast nevoje.
Duke folur për situatën në veri, për Telegrafin, komandanti i KFOR-it vlerësoi se aktualisht gjendja është e qetë dhe se nuk janë regjistruar incidente të ngjashme me ato të vitit 2023, por nënvizoi se misioni nuk po e ul vigjilencën për shkak të çështjeve të pazgjidhura dhe ndikimit që mund të kenë dezinformimi dhe retorika e papërgjegjshme në terren.
Ai theksoi se KFOR-i vazhdon koordinimin e ngushtë me institucionet e sigurisë në Kosovë, EULEX-in dhe autoritetet përkatëse në rajon, ndërsa përsëriti se stabiliteti afatgjatë në Kosovë nuk mund të arrihet përmes zgjidhjeve ushtarake, por përmes dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Nuk kemi parë incidente të ngjashme të sigurisë që nga viti 2023. Pas aktit të papranueshëm të dhunës të kryer kundër paqeruajtësve të KFOR-it dhe gjithashtu paqeruajtësve në Zveçan dhe gjithashtu personelit të Policisë së Kosovës në Banjskë. Por siç kam thënë më parë, ka çështje të pazgjidhura, retorikë jo të dobishme herë pas here, dhe gjithashtu dezinformim të përsëritur. Të gjitha këto aspekte të kombinuara kanë ndikim të drejtpërdrejtë në situatën e sigurisë. Prandaj, ne nuk po e ulim vigjilencën”, ka thënë Ulutash.
Ai ka njoftuar se mbajnë komunikim të rregullt dhe transparent me të gjithë homologët e tyre, duke përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë në Kosovë, EULEX-in, Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, dhe Forcat e Armatosura Serbem për të parandaluar keqkuptimet dhe për të siguruar shkëmbimin në kohë të informacionit. Ulutash ka shtuar se kjo kontribuon drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe gjithashtu drejt stabilitetit rajonal.