Komandanti i FSK-së pret në takim zyrtarët e Gardës Kombëtare të Ajovës, në fokus avancimi i bashkëpunimit ushtarak

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka pritur në takim Zëvendës Adjutantin dhe udhëheqësin e Gardës Ajrore të Garda Kombëtare e Ajovës, Gjeneral Brigade Mark A. Muckey, së bashku me stafin e tij. Sipas njoftimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet FSK-së dhe…

Lajme

09/06/2026 14:57

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka pritur në takim Zëvendës Adjutantin dhe udhëheqësin e Gardës Ajrore të Garda Kombëtare e Ajovës, Gjeneral Brigade Mark A. Muckey, së bashku me stafin e tij.

Sipas njoftimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, si dhe për mundësitë e zgjerimit të mëtejmë të këtij partneriteti strategjik.

Gjenerallejtënant Jashari falënderoi delegacionin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme që Garda Kombëtare e Ajovës ka dhënë në zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si një histori suksesi. Ai po ashtu i informoi mysafirët për zhvillimet aktuale në FSK dhe për rolin e saj në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon.

Nga ana tjetër, gjenerali Muckey vlerësoi progresin e arritur nga FSK-ja dhe përgëzoi komandantin Jashari për lidershipin e tij. Ai shprehu gatishmërinë e Gardës Ajrore të Ajovës për të vazhduar mbështetjen në procesin e zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse, përfshirë edhe aspektin e mbrojtjes së hapësirës ajrore.

Gjatë takimit, të dy gjeneralët vlerësuan avancimin e FSK-së në modernizimin e kapaciteteve operacionale, si dhe nivelin e lartë të profesionalizmit dhe ndërveprueshmërisë së personelit në aktivitetet dhe stërvitjet e përbashkëta.

Në përfundim, palët riafirmuan përkushtimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, duke e cilësuar atë si një partneritet me rëndësi të veçantë strategjike për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe ruajtjen e sigurisë e stabilitetit në rajon. /Lajmi.net/