Kolshi nga IKD: Jo veç kandidatura e Nenad Rashiq, edhe ajo e Emilja Rexhepit për nënkryetare është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit

Më 26 gusht, Dimal Basha nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh Kryetar i Kuvendit me shumicën e votave të deputetëve. Në të njëjtën seancë u votuan dhe u zgjodhën tre nënkryetarët nga radhët e grupeve më të mëdha parlamentare, si dhe deputetja Emilja Rexhepi si nënkryetare nga komunitetet jo-shumicë. Megjithatë, procesi nuk u përmbyll me sukses…

Lajme

28/08/2025 09:38

Më 26 gusht, Dimal Basha nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh Kryetar i Kuvendit me shumicën e votave të deputetëve.

Në të njëjtën seancë u votuan dhe u zgjodhën tre nënkryetarët nga radhët e grupeve më të mëdha parlamentare, si dhe deputetja Emilja Rexhepi si nënkryetare nga komunitetet jo-shumicë.

Megjithatë, procesi nuk u përmbyll me sukses sa i përket zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, pozitë e garantuar me Kushtetutë dhe Rregullore për përfaqësim të barabartë të komuniteteve jo-shumicë.

Pas zhvillimeve në seancën konstituive të Kuvendit, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën si është trajtuar zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Melos Kolshi, hulumtues në IKD ka thënë për “Front Online” se rasti paraqet një shkelje të thellë të rregullave kushtetuese dhe parlamentare, duke krijuar një skenar të ri bllokues drejt konstituimit të Kuvendit.

Ai thotë se procesi është zhvilluar në kundërshtim me detyrimet që ia ka përcaktuar Kushtetuta e rregullorja e Kuvendit.

“Shkelja e Kushtetutës, Rregullores, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe praktikës parlamentare në lidhje me nënkryetarët nga radhët e Komuniteteve paraqet një skenar të ri bllokues drejt konstituimit të Kuvendit. IKD ka monitoruar procesin e zhvillimit të seancës konstituive më 26 gusht dhe ka vërejtur se Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka zhvilluar procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë në kundërshtim me detyrimet që ia ka përcaktuar Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit, Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe praktika e deritanishme parlamentare”, tha ai.

Në veçanti, Kolshi i referohet aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese në rastet ku thuhet se “zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe praktikën e deritanishme parlamentare”.

Kolshi është shprehur se kandidatura e Nenad Rashiqpër nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb është bërë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Kolshi ka deklaruar se edhe procesi i propozimit të Emilja Rexhepit për nënkryetare është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.

“Kjo Rregullore kërkon formën me shkrim të propozimit për nënkryetarë të Kuvendit, e cila formë nuk u respektua në rastin e Emilija Rexhepi. Për këtë arsye, si procesi i propozimit të kandidatit për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, ashtu edhe zgjedhja e deputetes Emilija Rexhepi në pozitën e nënkryetares së Kuvendit u bë në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe në mungesë të transparencës. Marrëveshjet politike të cilat u prezantuan nga deputeti Elbert Krasniqi nuk mund të bëhen pjesë e një procesi kushtetues e ligjor. Shkelja e radhës në këtë proces ishte procesi i votimit”, u shpreh ai.

Shkelje është evidentuar edhe në mënyrën e votimit, pasi, thotë Kolshi.

“Kushtetuta dhe Rregullorja përcaktojnë dy (2) paragrafë të ndarë në lidhje me çështjen e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit. Këta dy (2) paragrafë flasin për dy (2) procese të vetme të votimit: votimi i tre (3) nënkryetarëve nga grupet më të mëdha parlamentaren dhe votimi i (2) nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë. Sikurse nuk mund të ndahet procesi i votimit të nënkryetarëve nga tri (3) grupet më të mëdha parlamentare, njashtu nuk mund të ndahet as procesi i votimit të nënkryetarëve nga komunitetet. Kështu ka qenë edhe praktika parlamentare e deritanishme, përfshirë praktika e vitit 2021 e udhëhequr nga vet LVV”.