KOK shpalos të arriturat për vitin 2022: Kemi rritur buxhetin 100 për qind
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) mbajti dje Asamblenë e Përgjithshme, ku u shpalosën të arriturat e këtij institucioni përgjatë vitit 2022. Kjo Asamble filloi me intonimin e himnit shtetëror dhe himnit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), raporton lajmi.net. Më pas, fjalën morën presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe drejtori i sportit në Ministrinë e Kulturës…
Sport
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) mbajti dje Asamblenë e Përgjithshme, ku u shpalosën të arriturat e këtij institucioni përgjatë vitit 2022.
Kjo Asamble filloi me intonimin e himnit shtetëror dhe himnit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), raporton lajmi.net.
Më pas, fjalën morën presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe drejtori i sportit në Ministrinë e Kulturës Rinisë e Sportit (MKRS), Ibër Alaj.
Presidenti Krasniqi zbuloi disa prej punëve më të mira dhe vendimeve të marra të KOK-ut të vitit të kaluar.
“Kemi rritur buxhetin e KOK-ut për pothuajse 100% nga viti paraprak 2021, rritje kjo që do të shkojë për sportistët, trajnerët dhe aktivitetet e ndryshme… Për herë të parë Bordi Ekzekutiv ka vendosur të ndajë bursa edhe për trajnerët, ku gjashtë trajnerët më të suksesshëm do të marrin bursa çdo muaj deri në Paris 2024. Kemi rritur vlerën e bursave të 22 sportistëve të cilët synojnë normat olimpike… Kemi ngritur numrin e bursistëve ‘Shpresa Olimpike 2023’ nga 25 në 32, të cilët mbështeten me bursa mujore direkt nga të ardhurat e KOK-ut”, tha Krasniqi.
Po ashtu, Krasniqi tha se KOK-u ka fituar për herë të parë projekte në Bashkimin Evropian përmes programeve të Erasmus+, dhe se ka filluar hartimi i planit strategjik për periudhën 2023-2028.
E drejtori sportiv i MKRS-së, Ibër Alaj e përgëzoi KOK-un për Asamblenë e Punës, duke shpresuar se të gjitha aktivitetet e parapara të jenë të realizuara.
“Ju përgëzoj për organizimin e Asamblesë së Punës së Komitetit Olimpik duke shpresuar që të gjitha aktivitetet e planifikuara bazuar në planin e punës të jenë realizuar që të arrihen objektivat të cilat i keni parashtruar para vetës. Të njëjtën kohë, edhe federatat të cilat janë nën ombrellën e Komitetit Olimpik… Shpresojmë që të japin kontributin e tyre në avancimin e sportit në përgjithësi”, tha Alaj.
Pas fjalimeve u bë edhe përkujtimi për kontribuesit e sportit të cilët u ndanë nga jeta gjatë vitit 2022.
Ndërkaq, pjesa e punës e kësaj Asambleje përfshinte shqyrtimin dhe miratimin e procesverbalit nga Asambleja e Punës së KOK, shqyrtimin dhe miratimin e Raportit vjetor të punës së KOK-ut për vitin 2022 si dhe shqyrtimin dhe miratimin e Raportit financiar për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2022./Lajmi.net/