“Kodi 8647”, ish-shefi i FBI-së nën hetim pas postimit të katër numrave, Trump: Thirrje e qartë për vrasjen time
Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, është duke u hetuar nga Shërbimi Sekret pasi ai ndau dhe më pas fshiu një postim në rrjete sociale, për të cilin republikanët pretendonin se ishte një nxitje për dhunë kundër presidentit amerikan Donald Trump. Comey postoi në Instagram një foto me guaska deti që shkruante numrat “8647”, me mbishkrimin…

Bota
Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, është duke u hetuar nga Shërbimi Sekret pasi ai ndau dhe më pas fshiu një postim në rrjete sociale, për të cilin republikanët pretendonin se ishte një nxitje për dhunë kundër presidentit amerikan Donald Trump.
Comey postoi në Instagram një foto me guaska deti që shkruante numrat “8647”, me mbishkrimin “Forma të lezetshme të guacave gjatë shëtitjes time në plazh”.
Numri 86 është një term zhargon, përkufizimet e të cilit përfshijnë “të refuzosh” ose “të heqësh qafe”, sipas fjalorit Merriam-Webster, i cili gjithashtu vë në dukje se kohët e fundit është përdorur si një term që do të thotë “të vrasësh”.
Dhe Trump është presidenti i 47-të i SHBA-së. Comey këmbënguli se nuk e dinte se çfarë nënkuptonin numrat, por Trump e ka kundërshtuar këtë.
Bëhet e ditur se më pas, ai fshiu postimin, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
“Unë nuk e kuptova që disa njerëz i lidhin ato numra me dhunë”, shtoi ai.
“Nuk më ka shkuar kurrë në mendje, por unë kundërshtoj dhunën e çdo lloji, kështu që e hoqa postin.”
Por Trump argumentoi se “edhe një fëmijë e di se çfarë do të thotë”.
“Kjo nënkuptonte vrasje dhe e thotë me zë të lartë dhe qartë”, tha Trump.
“Tani, ai nuk ishte shumë kompetent, por ai ishte mjaft kompetent për të ditur se çfarë do të thoshte.”
Në një postim në X, zëdhënësi i Shërbimit Sekret Anthony Guglielmi tha: “Ne hetojmë çdo gjë që mund të merret si një kërcënim i mundshëm kundër të mbrojturve tanë”.
“Ne jemi të vetëdijshëm për postimet në rrjete sociale nga ish-drejtori i FBI-së dhe ne e marrim retorikën si kjo shumë seriozisht. Përtej kësaj, ne nuk komentojmë çështjet e inteligjencës.”
Ndryshe, Comey shërbeu si drejtor i FBI-së midis viteve 2013-17.
Ai u shkarkua nga Trump në mes të një hetimi për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.