Koci: Sulmi në Ibër-Lepenc synon të mbajë veriun të tensionuar për përfitime politike

Politologu Melazim Koci ka vlerësuar se sulmi në kanalin Ibër-Lepenc është pjesë e një strategjie të orkestruar nga Serbia dhe Rusia, që synon të mbajë veriun e Kosovës në një gjendje të vazhdueshme tensioni. Sipas tij, kjo strategji ka prapavijë të qartë politike dhe synon të përfitojë nga krizat ndërkombëtare, duke e shfrytëzuar Kosovën si…

Lajme

03/12/2024 20:08

Politologu Melazim Koci ka vlerësuar se sulmi në kanalin Ibër-Lepenc është pjesë e një strategjie të orkestruar nga Serbia dhe Rusia, që synon të mbajë veriun e Kosovës në një gjendje të vazhdueshme tensioni.

Sipas tij, kjo strategji ka prapavijë të qartë politike dhe synon të përfitojë nga krizat ndërkombëtare, duke e shfrytëzuar Kosovën si një precedent për përfitime gjeopolitike.

“Është një tendencë e bashkësisë ndërkombëtare ta ruaj status quon në Kosovë, janë për shkak të status quos si e tillë. Por për shkak të zhvillimeve të tjera, lufta në Ukraina por edhe konfliktet e tjera që mund të shpërthejnë. Është evidente që nuk ka gatishmëri, nuk është Kosova në plan të parë. Nuk është Kosova në rrethin e parë. Këtë situatë, këtë rrethanë Serbia është duke e shfrytëzuar. Goditja që është bërë në Ibër-Lepenc, pos që nuk ka asnjë dilemë që është e përgatitur nga Serbia dhe Rusia, mendoj që ka prapavijë politike.

Qëllimi politik është ky: të mbahet veriu i tensionuar, më kriza të kohëpaskohshme, goditje të tilla, në mënyrë që në një tubim të anticipuar nga Serbia ndërkombëtar për Ukrainën të futet edhe Kosova. I konvenon, jo vetëm Serbisë por edhe Rusisë. Rusisë për faktin që bashkësia ndërkombëtare Kosovën e konsideron sui generis, por Rusia pohon që është precedent. Dhe mbi këtë Rusia dëshiron të shkëput pjesë të Ukrainës, pavarësisht që nuk qëndron”, ka thënë Koci në FIVE të Dukagjinit.

Koci ka theksuar qëllimi i sulmeve në veri dhe situatës së tensionuar është përfshirja e Kosovës në diskutimet ndërkombëtare për krizat globale, ku Rusia dhe Kina mund të ndikojnë, gjë që do të ishte e pafavorshme.

“Ajo çfarë ka ndodhur në Ibër-Lepenc dhe ajo çfarë mund të ndodhë në periudhën e ardhshme nuk përjashtojë mundësin e sulmeve të tjera në veri. E dërgon Kosovën në atë drejtim. Sepse, nëse shtrohet një tavolinë ndërkombëtare për ta zgjidhur çështjen e Ukrainës dhe disa kriza të tjera, Rusia dhe Serbia do të bëjnë çmos që Kosovën të fusin në atë tubim ndërkombëtar. Për ta futur aty, ku më nuk do të vendosnin vetëm BE dhe SHAB por dhe Rusia e Kina, do të ishte e pafavorshme për Kosovën, do të dilte nga konturat e strukturave euroatlantike. Për ta futur në këtë konstelacion Serbia dhe Rusia do të bëjnë incidente të tjera, vetëm duke mbajtur veriun e tensionuar me goditje të tilla terroriste”, ka shtuar Koci.