Koci: Serbia ndalon edhe një shtetas të Kosovës në kufi, po udhëtonte nga Gjermania drejt vendlindjes
Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se edhe një shtetas i Republikës së Kosovës është ndaluar nga autoritetet serbe në pikëkalimin kufitar ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë. Sipas Kocit, bëhet fjalë për 44-vjeçarin Mentor Mustafa, nga fshati Jasenovik i Novobërdës, i cili ishte duke udhëtuar me autobus nga Stuttgarti drejt Kosovës së bashku me vëllain…
Lajme
Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se edhe një shtetas i Republikës së Kosovës është ndaluar nga autoritetet serbe në pikëkalimin kufitar ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë.
Sipas Kocit, bëhet fjalë për 44-vjeçarin Mentor Mustafa, nga fshati Jasenovik i Novobërdës, i cili ishte duke udhëtuar me autobus nga Stuttgarti drejt Kosovës së bashku me vëllain e tij, Fejzullah Mustafën, shkruan lajmi.net.
Duke iu referuar deklarimit të vëllait të të ndaluarit, Koci ka thënë se autoritetet serbe u kanë bërë me dije se ndalimi lidhej me një letërnjoftim të dëmtuar.
“Informatën për këtë rast e kam pranuar pas mesnate”, ka shkruar ai.
Koci ka bërë të ditur se menjëherë pas njoftimit ka nisur angazhimin për të sqaruar rrethanat e rastit dhe për t’i ofruar qytetarit ndihmën e nevojshme juridike.
“Do të vazhdoj të ndërmarr të gjitha veprimet që janë në kompetencën dhe mundësitë e mia për të ndihmuar në zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij rasti. Asnjë shtetas i Kosovës nuk duhet të ndihet i vetëm kur përballet me probleme jashtë vendit. Për aq sa kam mundësi, do të jem pranë qytetarëve tanë dhe do të angazhohem për t’u ofruar ndihmën e nevojshme”, ka shkruar Koci. /Lajmi.net/