Koci paralajmëron qytetarët që udhëtojnë nëpër Serbi: Kujdes me postimet në rrjete sociale
Avokati Arianit Koci ka bërë thirrje për kujdes ndaj qytetarëve të Kosovës që udhëtojnë ose kalojnë transit nëpër Serbi, duke i paralajmëruar për pasojat e mundshme ligjore që mund të sjellin përmbajtjet e publikuara në rrjete sociale. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koci ka thënë se komentet, postimet apo përmbajtjet e publikuara në platforma…
Lajme
Avokati Arianit Koci ka bërë thirrje për kujdes ndaj qytetarëve të Kosovës që udhëtojnë ose kalojnë transit nëpër Serbi, duke i paralajmëruar për pasojat e mundshme ligjore që mund të sjellin përmbajtjet e publikuara në rrjete sociale.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koci ka thënë se komentet, postimet apo përmbajtjet e publikuara në platforma publike, nëse konsiderohen fyese, kërcënuese ose si nxitje e urrejtjes, mund të tërheqin vëmendjen e autoriteteve serbe.
“Për ata që udhëtojnë nëpër Serbi, nëse kaloni tranzit ose qëndroni në Serbi, keni parasysh se komentet që mund të keni publikuar në rrjete sociale, forume apo platforma të tjera publike në internet – nëse janë fyese, kërcënuese ose mund të interpretohen si nxitje e urrejtjes, mund të kenë pasoja juridike”, ka shkruar Koci.
Sipas tij, në varësi të rrethanave dhe legjislacionit që zbatohet, udhëtarët mund të ndalohen, të intervistohen dhe, nëse ekziston bazë ligjore, të përballen me procedura penale ose kundërvajtëse.
Koci ka kërkuar që ky paralajmërim të shpërndahet për vetëdijesimin e qytetarëve, veçanërisht atyre që planifikojnë të udhëtojnë nëpër territorin e Serbisë. /Lajmi.net/