Koci: Me lehtë do takohen Zelensky me Putinin, sesa liderët tanë
Njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci, ka thënë se problemi kryesor që po e pengon progresin politik në vend është mungesa e komunikimit dhe besimit midis subjekteve politike. Koci ka shprehur dyshime se Vetëvendosja mund të ketë vullnetin për të formuar një qeveri, duke theksuar se aktualisht ka një mungesë të theksuar të komunikimit, që…

Lajme
Njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci, ka thënë se problemi kryesor që po e pengon progresin politik në vend është mungesa e komunikimit dhe besimit midis subjekteve politike.
Koci ka shprehur dyshime se Vetëvendosja mund të ketë vullnetin për të formuar një qeveri, duke theksuar se aktualisht ka një mungesë të theksuar të komunikimit, që ka çuar në një bllokim të situatës politike.
“Pavarësisht nëse do të jetë qeveri tranzicionale apo e rëndomtë, e rregullt. Unë mendoj që qeveritë me letra nuk bëhen në asnjë vend. Sidomos jo në rastin tonë, ku dy subjekte kanë distancë 500 metra, por komunikojnë me letra.
Problemi te ne është kumtesa e komunikimit. Ky është problemi kryesor. Nuk ka komunikim, nuk ka besim e as vullnet politik. Nuk jam i sigurt që Vetëvendosja e dëshiron formimin e qeverisë”, ka thënë Koci në Dukagjin.
Koci është kritik për opozitën që po kërkon një kandidaturë tjetër për kryetar të Kuvendit, duke thënë se ky insistim mund të jetë një gabim, pasi aktualisht Vetëvendosja nuk ka shumicën për të formuar një qeveri.
“Mendoj që opozita është duke gabuar që insiston me çdo kusht, duke kërkuar një kandidate tjetër në vend të zonjës Haxhiu. Mund t’i votohet kandidatja e VV-së, pastaj shihet; ka apo nuk ka shumicë. Ajo është evidente, VV-ja nuk e ka shumicën aktualisht”, ka shtuar Koci.
Koci po ashtu ironizoi mbi paaftësinë e liderëve kosovarë për të gjetur një zgjidhje për krizën politike, duke thënë se është më e mundshme që të takohen Vladimir Putinin dhe Volodymyr Zelensky, sesa ata të arrijnë një marrëveshje midis tyre për të dalë nga bllokada e Kuvendit.
“Por problemi kryesor është mungesa e komunikimit. Kam përshtypjen se më lehtë do të takohen Zelensky me Putinin, t’i zgjidhin problemet pas një milion vdekjeve sesa liderët tanë. Dhe ky është problemi real në Kosovë. Unë kam drojën që kjo çështje do të zvarritet për muaj. Edhe nëse mbahen zgjedhjet, pa amendamentim të Kushtetutës, prapë do të përballemi me këtë situatë”, ka thënë ndër të tjera Koci.