​Koalicioni Për Familje: Do të luftojmë dukuritë që rrezikojnë familjet tona

Koalicioni për Familje ka hapur sonte zyrtarisht fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, me premtimin se me ardhjen e saj në pushtet do të mbrohet familja si shtylla kryesore e shoqërisë. I ftuar special në hapje të fushatës ishte ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë ambasadori William Walker. Kandidati për…

Lajme

11/01/2025 21:23

Koalicioni për Familje ka hapur sonte zyrtarisht fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, me premtimin se me ardhjen e saj në pushtet do të mbrohet familja si shtylla kryesore e shoqërisë.

I ftuar special në hapje të fushatës ishte ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë ambasadori William Walker.

Kandidati për kryeministër nga Koalicioni për Familjen, Eman Rrahmani falënderoi ambasadorin Walker duke thënë se është personi i cili ka dëshmuar si mbrohet familja.

“Duke ju parë këtu s’ka martesa burrë më burrë, nuk guxon të thyhen parimet e gjithë atyre që kanë sakrifikuar jetën e tyre. Ambasadori Walker është personi, i cili ka treguar se si mbrohet familja. Secili kandidat këtu ka për synim të mbrojë vlerën e familjes. Ne e kemi ruajtur familjen, ne na duhet që angazhimin e nënave tona ta konkretizojmë me politika tona. Do të ketë vetëm dy gjini. Duhet të angazhohemi që mos të ketë dukuri që rrezikojnë vendin tonë”, tha Rrahmani.

Ndërsa, kryetari i Aleancës për Kosovën e Re, Behgjet Pacolli theksoi se Koalicioni për Familjen mbron shtyllën kryesore të shoqërisë tonë.

“Është koalicioni, i cili mbron shtyllën kryesore të shoqërisë sonë. Ne jemi këtu për të mbrojtur dhe fuqizuar familjen tonë. Familja ka qenë e shenjtë, mbetet e shenjtë. Mos i dëgjoni njerëzit që nuk kanë as karakter, as edukatë e kanë humbur moti, që nuk e vlerësojnë familjen”, theksoi Pacolli.

Kandidati për deputet Selim Pacolli tha se janë të përkushtuar për të bashkëpunuar me qytetarët për zgjidhjen e problemeve me të cilat ata përballen.

“Përfaqësoj bashkimin e vlerave të njerëzve të devotshëm. Një familje e shëndoshë është një shoqëri e shëndoshë, e cila përbën një komb të shëndoshë. Ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, lirive dhe të drejtave të çdo qytetari, në theks të veçantë të fëmijëve. Sistemi arsimit është baza kryesore ku duhet të intervenohet. Nevoja për të nxjerrë breza që dashurinë për atdheun e shprehin përmes punës. Vend të veçantë në këtë program ka shkenca dhe inovacioni. Zhvillimi ekonomik dhe siguria mbetën po ashtu dy shtylla të rëndësishme të këtij programi. Fusha e kulturës, libri, teatri, filmi, sporti do të shihen me vëmendje të shtuar. Jemi të përkushtuar për gjetjen e zgjidhjeve ideale dhe të punojmë ngushtë me qytetarin”, tha ai.

Kreu i Partisë së Drejtësisë Ferid Agani u shpreh se familjet janë vënë në sprova të papritura nga qeverisjet e paafta e të papërgjegjshme.

“Këto ditë, këto familje janë vënë në sprova të papritura që vine, nga njëra anë nga qeverisjet e paafta e të papërgjegjshme, e nga ana tjetër nga agjendat globale të çoroditura. Pasojat e këtyre zhvillimeve kaotike dhe funksionimit të vështirësuar të familjes janë duke e vuajtur çdo anëtarë, çdo gjeneratë. Janë duke e vuajtur fëmijët, burri e gruaja, edhe gjyshërit e gjyshet, nga vetmia të cilët papritur po ballafaqohen në ditët e tyre të pleqërisë”, u shpreh Agani.

Kujtojmë, sot edhe zyrtarisht është hapur fushata për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, ku për legjislativin e ri do të garojnë gjithsej 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë të certifikuar nga KQZ-ja.

Numri i votuesve brenda dhe jashtë Kosovës është 2 milionë e 75 mijë e 868. Për votim jashtë vendit janë regjistruar 104.924, prej tyre 20.399 janë regjistruar për votim fizik në përfaqësitë diplomatike, ndërsa të tjerët mund të votojnë me postë në 19 shtete.

Këto janë zgjedhjet e para të rregullta qe nga shpallja e pavarësisë, pasi deri më tani janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.