Koalicioni me VV-në në Prizren | Bekim Nerjovaj jep dorëheqje nga AAK bashkë me nëndegët e Hasit

Bekim Nerjovaj, një nga figurat më të votuara të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prizren, ka njoftuar dorëheqjen nga partia, bashkë me të gjitha nëndegët e Hasit, përveç asaj të Zymit. Në një komunikatë për media, Nerjovaj ka bërë të ditur se vendimi vjen pas arritjes së një koalicioni politik pa konsultim me…

Lajme

30/10/2025 19:06

Bekim Nerjovaj, një nga figurat më të votuara të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prizren, ka njoftuar dorëheqjen nga partia, bashkë me të gjitha nëndegët e Hasit, përveç asaj të Zymit.

Në një komunikatë për media, Nerjovaj ka bërë të ditur se vendimi vjen pas arritjes së një koalicioni politik pa konsultim me kandidatët dhe strukturat e partisë në terren, transmeton lajmi.net.

“Si kandidati i dytë më i votuar i AAK-së në degën e Prizrenit, së bashku me të gjitha nëndegët e Hasit (me përjashtim të Zymit), japim dorëheqje nga kjo parti. Arsyeja e kësaj dorëheqjeje është arritja e koalicionit pa asnjë konsultim me ne si kandidatë dhe me strukturat partiake në terren,” ka deklaruar Nerjovaj.

Ai ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për qytetarët që e kanë mbështetur gjatë angazhimit të tij politik.

“Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj nga zemra të gjithë qytetarët që më kanë mbështetur dhe t’u shpreh mirënjohjen time të përjetshme për besimin dhe përkrahjen e tyre,” ka shtuar ai.

Dorëheqja e Nerjovajt shihet si një zhvillim i rëndësishëm brenda strukturave të AAK-së në Prizren, pasi ai ishte kandidati i dytë më i votuar në degë dhe një nga përfaqësuesit më aktivë të kësaj partie në rajonin e Hasit./lajmi.net/