KMShK dënon paralajmërimin e KPM-së për mbylljen e “Debat Plus”: Presion ndaj lirisë së medias

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), ka reaguar pas deklarimeve të nënkryetares së Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Drita Morina, e cila ka paralajmëruar mundësinë e shqyrtimit për mbylljen e emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini. Në një vendimmarrje urgjente online, anëtarët e KMShK-së e kanë cilësuar këtë deklarim si të pabazuar…

Lajme

10/06/2026 19:35

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), ka reaguar pas deklarimeve të nënkryetares së Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Drita Morina, e cila ka paralajmëruar mundësinë e shqyrtimit për mbylljen e emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Në një vendimmarrje urgjente online, anëtarët e KMShK-së e kanë cilësuar këtë deklarim si të pabazuar në Kodin e Etikës së KPM-së dhe kanë kërkuar kujdes të shtuar në trajtimin e ankesave të tipit SLAPP ndaj mediave, veçanërisht kur ato vijnë nga eksponentë politikë.

“Në një vendimmarrje urgjente online, anëtarët e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) kanë dënuar fuqishëm deklarimin e nënkryetares së Komisionit të Pavarur të Mediave, Drita Morina e cila, pa asnjë mbështetje në Kodin e Etikës të KPM-së, ka paralajmëruar mbylljen e emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini”, thuhet në reagim.

KMShK thekson se organet e pavarura rregullatore duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me standardet profesionale, duke ruajtur pavarësinë institucionale dhe duke shmangur deklarata që mund të ndikojnë në perceptimin publik për mediat.

Sipas KMShK-së, paralajmërime të tilla për mbylljen e emisioneve përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias në vend.

Po ashtu, KMShK u ka bërë thirrje anëtarëve të tjerë të KPM-së që të distancohen publikisht nga deklaratat e tilla, të cilat, sipas tyre, dëmtojnë seriozisht ambientin mediatik dhe lirinë e informimit në Kosovë.