KMDLNj-ja kërkon hetime urgjente për skandalet e rastit “Kleçka”
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka reaguar pas publikimit në media për dyshime se rasti “Kleçka”, në të cilën ishte i dyshuar edhe Fatmir Limaj, ka qenë i montuar politikisht.
Lajme
KMDLNj, me anë të një reagimi, kërkon hetime urgjente për vërtetimin e saktësisë apo eliminimin e këtyre pohimeve ndaj atyre që u janë adresuar dyshimet sepse, sipas tyre, nuk është ky rasti i parë ku rrjedhin informatat për procese të kurdisura.
Reagimi i plot i KMDLNj-së.
Edhe në EULEX ashtu në Bruksel e pranojnë se ka parregullsi në funksionimin e sistemit gjyqësor që drejtohet nga ndërkombëtarët përkatësisht, siç thonë se një pjesë e drejtësisë ndërkombëtare është e korruptuar dhe pjesë aktive e krimit të organizuar prandaj edhe kanë filluar hetimet e brendshme për të cilat KMDLNj duke u mbështetur në përvojat e mëparshme, nuk beson se do të kenë një përfundim në favor të drejtësisë.
Në Kosovë, pas përfundimit të luftës për rastet me ndjeshmëri të lartë si krime të luftës, krime për motive politike dhe etnike, trafikim me qenie njerëzore dhe me narkotik si dhe korrupsion të profilit të lartë kompetentë ekskluziv kanë qenë gjykatat e UNMIK-ut dhe ato të EULEX-it të cilat, në jo pak raste kanë dështuar duke e sakrifikuar drejtësinë për shkak të oportunitetit politik dhe ruajtjes (mirëmbajtjes) së situatës të sigurisë.
KMDLNj ri-përsërit shqetësimin e tij se me këto gjykime që janë mbajtur në periudhën e pas luftës duke shfaqur dyshime se disa gjykime, sikur që edhe disa aktgjykime kanë qenë të motivuara politikisht dhe në baza etnike.
KMDLNj po ashtu dyshon dhe njëherit është i shqetësuar pse këto informata po rrjedhin pas përfundimit të misionit të një pjese të personelit të stafit ndërkombëtarë dhe pse ata nuk po flasin gjatë mandatit të tyre?!
Detyrimet që dalin për ato shtete që i kanë nënshkruar dhe ratifikuar Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, pastaj Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe që punojnë në Kosovë, “sipas Kushtetutës së Kosovës” duhet të gjejnë zbatim për të gjithë, pa bërë diskriminime në baza etnike, fetare, racore, statusit social, përcaktimit politik etj.
KMDLNj rikujton fillimin e nenit 7 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara që së bashku me nenet tjera të po kësaj deklarate garantojnë barazinë para ligji, para gjykatave kompetente kombëtare dhe ndërkombëtare, pastaj një proces gjyqësor objektiv e publik para një gjykate të pavarur dhe të paanshme si dhe siguron garancitë e duhura për një mbrojtje efektive të akuzuarit i cili konsiderohet i pafajshëm deri sa të vërtetohet fajësia në bazë të ligjit.
Këto të drejta janë përfshirë edhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.