Klani i Isës që ka përçarë LDK-në
Pavarësisht asaj që Isa Mustafa deklaron në publik, duke thënë se, LDK është unike, realiteti brenda partisë është tjetër. Përveç humbjes në dy palë zgjedhjeve brenda gjashtë muajve, kësaj situate më shumë i ka kontribuar, favorizimi klanor që lideri Mustafa u ka bërë disa njerëzve rreth tij, dhe trajtimi deri diku përjashtues ndaj disa të tjerëve, me peshë në parti dhe elektorat, kanë thënë burime të lajmi.net.

Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës, ka nënshkruar një marrëveshje koalicioni paszgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma-n, por jo të gjithë në partinë e Isa Mustafës, janë pro këtij vendimi.
Në parti ka mospajtime, ndërsa koalicioni i bllokut opozitar është vetëm njëri ndër to, ka thënë një burim i lajmi.net, brena kësaj partie.
Kësaj situate, ai thotë, t’i ketë kontribuar vetë kryetari i partisë bashkë me një rreth të ngushtë të njerëzve të tij, e cila ka filluar para zgjedhjeve, që nga përpilimi i listës së kandidatëve për deputetë e deri te favorizimi në fushatën zgjedhore i këtij klani dhe injorimi i të tjerëve.
Ky burim ka thënë se LDK, para zgjedhjeve, kishte zhvilluar një sondazh me elektoratin e saj. Nga 50 emrat e LDK-së që kishin qenë pjesë e sondazhit, ish kryetari i LDK-së Fatmir Sejdiu, kishte rezultuar si personi i dytë më i votuar, por atij i ishte ofruar vetëm numri 4 në listën për deputetë. Sejdiu, refuzoi të bëhej pjesë e kësaj liste, ku ish këshilltarja e tij Vjosa Osmani, renditej më lartë se sa ai.
Formë pak a shumë e njëjtë ishte ndjekur edhe me Naser Rugovën, të cilin sondazhi e kishte nxjerrë ndër më të votuarit, por ai fare nuk ishte përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë.
Edhe figura të tjera të rëndësishme, nuk ishin trajtuar konform peshës qw kanw nw parti. Arben Gashi i cili në zgjedhjet e vitit 2010, kishte qenë ndër më të votuarit në LDK, dhe deputeti më aktiv gjatë legjislaturës së kaluar, ishte pozicionuar kah fundi i pjesës së parë të listës, ndërsa bashkëvendasit të tij Kujtim Shala, pjesë e klanit Mustafa, i ishte rezervuar numri 5.
Madje, Gashi, i cili ka dalë publikisht kundër koalicionit me kryeministër Ramush Haradinajn, ishte penguar të bënte fushatë në rajonin e tij në Pejë, me mjetet të siguruara nga partia, ndërsa krejt ndryshe ishte vepruar me Shalën, ka thënë ky burim.
Edhe te reklamat që partia kishte dërguar nëpër media të ndryshme, si televizione, gazeta e portale, ishte vërejtur favorizim për një rreth të ngushtë të njerëzve të afërt me Mustafën.
“Në shumicën e rasteve reklamat zgjedhore të paguara nga partia, kanë pasur për protagonist, Kujtim Shalën, Avdullah Hotin, Vjosa Osmanin, Vlora Dumoshin e Lutfi Zharkun”, ka thënë ky burim, i cili tregon pwr klimën jo unike që po e karakterizon këtë parti.
Kontribut kësaj klime, sipas tij, po i jep edhe pakënaqësia që vjen nga familja Hamiti dhe grupi i tyre. Edhe ata thuhet se janë të pakënaqur, pasi po vlerësojnë se nuk po trajtohen në mënyrë meritore në parti. (lajmi.net)