Kjo s’është dashni por tregti – nesër protestohet kundër keqmenaxhimit të parasë publike

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve mban të premten protestë duke filluar prej orës 12:00, kundër keqmenaxhimit të parasë publike dhe qasjes së paligjshme të Komunës së Prishtinës ndaj trajtimit të qenve endacakë me moton “Kjo s’është dashni, por tregti – Qytetarët nga xhepi, komuna për qejfi”. Protesta do të nisë nga sheshi “Skënderbeu”, për…

Lajme

19/06/2025 16:40

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve mban të premten protestë duke filluar prej orës 12:00, kundër keqmenaxhimit të parasë publike dhe qasjes së paligjshme të Komunës së Prishtinës ndaj trajtimit të qenve endacakë me moton “Kjo s’është dashni, por tregti – Qytetarët nga xhepi, komuna për qejfi”.

Protesta do të nisë nga sheshi “Skënderbeu”, për të marshuar paqësisht drejt objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës.

Me këtë rast do të kërkohet respektim i plotë i ligjeve dhe standardeve për strehimin e qenve; ndalimin e projekteve që devijojnë fonde publike pa dhënë zgjidhje të qëndrueshme; përfshirje reale të shoqërisë civile dhe komunitetit në hartimin dhe zbatimin e politikave për trajtimin e kafshëve të pastreha.

Komuna ka ndërmarrë veprime të njëanshme dhe jo transparente në masat e fundit të subvencionimit të adoptimit, duke fuqizuar strehime jashtëligjore të qenve pa e trajtuar burimin e problemit. Kjo qasje jo vetëm që nuk e zgjidh problemin e qenve endacak, por rrezikon ta përkeqësojë edhe më tej.

Kërkojmë punë të mirëfilltë, ligjore dhe të qëndrueshme nga institucionet lokale dhe jo improvizime që shkelin ligjin, etikën dhe parimet e mbrojtjes së kafshëve. Zgjidhje ka, por vetëm me transparencë, respektim të ligjit dhe përfshirje qytetare, thuhet në njoftimin e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve.

Kujtojmë, Komuna e Prishtinës nga fundi i vitit 2023 ndan pesëdhjetë euro në muaj për qytetarët që adoptojnë qentë endacakë.

Qytetarët mund të marrin deri në pesë qenë endacakë. Gjobat për qytetarët që i keqtrajtojnë qentë e adoptuar variojnë nga një mijë deri në tre mijë euro. Komuna e Prishtinës deri më tash ka ndarë miliona euro për adoptimin e qenve endacakë.