“Kjo Qeveri vendosi tarifa të energjisë në mënyrë të njëanshme, pa asnjë ndjeshmëri sociale” – Me 5 prill protestohet në Prishtinë për shtrenjtimin e rrymës
Shtrenjtimi i tarifave të energjisë elektrike për 15% ishte paralajmëruar të hynte në fuqi nga sot, 1 prilli, por kjo ende nuk ka ndodhur. ZRr nuk është zmbrapsur nga shtrenjtimi i rrugës pavarësisht kundërshtimeve të shumta. Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu, ka deklaruar se vendimi përfundimtar pritet të…

Lajme
Shtrenjtimi i tarifave të energjisë elektrike për 15% ishte paralajmëruar të hynte në fuqi nga sot, 1 prilli, por kjo ende nuk ka ndodhur.
ZRr nuk është zmbrapsur nga shtrenjtimi i rrugës pavarësisht kundërshtimeve të shumta.
Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu, ka deklaruar se vendimi përfundimtar pritet të merret më 11 prill por që tarifa prej 15% mund të aplikohet nga 1 prilli ose 1 maji.
“Jo, ende nuk është marrë vendimi. Në fuqi mbesin tarifat ekzistuese. Vendimi pritet të merret më 11 prill. Varësisht se si vendos bordi, tarifat mund të hyjnë në fuqi retroaktivisht nga 1 prilli ose nga 1 maji, kur është edhe periudha e faturimit, pasi nuk ka kuptim që kjo të ndodhë në mes të muajit”, ka thënë Fejzullahu.
Lajmi.net në lidhje me këtë çështje ka biseduar me aktivistin dhe kritikun më të madh sa i përket shtrenjtimit të energjisë elektrike, Dibran Hoxhën.
Hoxha për lajmin e ka shpjeguar protestën e tij simbolike në emër të qytetarëve ku goditi me tortë para disa ditësh kryetarin e bordit të ZRRE-së Ymer Fejzullahu, ai thotë se ishte e nevojshme që përmes një akti simbolik të reagohej kundër rritjes së njëanshme të energjisë pa pasur asnjë një ndjeshmëri sociale.
“Ky aksion ka qenë i planifikuar dhe i organizuar nga një grup aktivistësh. U drejtua ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, konkretisht ndaj kryeshefit Ymer Fejzullahu, sepse është institucioni që vit pas viti po vendos rritje të tarifave të energjisë në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë ndjeshmëri sociale. Prandaj, ishte e nevojshme që përmes një akti simbolik kjo çështje të dalë në sipërfaqe”, tha ai.
Tutje, Hoxha tha se VV premtimet i harron shpejtë – “Prej “do t’ia heqim licencën KEDS-it”, përfunduam te “ne kemi çmimin më të lirë në rajon”.
“Ky është një nga mashtrimet më të mëdha që po servohen me të vetmin qëllim: justifikim politik. Kjo qeveri është e para që e përfundoi një mandat të plotë, me shumicë absolute, dhe e para që premtimet i harroi shpejtë. Prej “do t’ia heqim licencën KEDS-it”, përfunduam te “ne kemi çmimin më të lirë në rajon”. Mirepo, kjo nuk është çështje krahasimi rajonal, por padrejtësie sociale”, u shpreh Hoxha.
Ai gjithashtu tha se Qeveria Kurti e kishte në dorë trajtimin e problemit me kompani turke Limak-Çalik dhe se kryeministri kishte premtuar se me ardhjen e tij në pushtet do t’ia heqte licencë çdo kompania që nëse bën kërkesa për rritjen e energjisë elektrike, por kjo nuk ndodhi.
“Qeveria Kurti që kishte çdo mjet në dorë për ta trajtuar këtë problem. Nuk reagoi asnjëherë për mbrojtjen e qytetarëve. Përkundrazi, iu vu në shërbim të KEDS-it. Se çfarë lidhje kanë me Limak-Çalik, kush e ka dorën te Ankaraja, kush po ndan fitimet – këtë nuk e dimë, as nuk kemi kapacitete ta hetojmë. Por e dimë që kjo qeveri ka zgjedhur të jetë në anën e kompanisë, jo të qytetarit”, tha Hoxha për lajmi.net.
Aktivisti Dibran Hoxha me 27 mars zhvilloi një aksion ndaj Ymer Fejzullahut të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE), duke ia hedhur një tortë në veturë, për shkak të paralajmërimeve për rritjen e çmimit të rrymës për 15%.
Propozimi për shtrenjtimin e rrymës është kundërshtuar edhe nga Presidenca, opozita, shoqëri civile dhe qytetarët. Këta të fundit kanë paralajmëruar edhe një protestë për të shtunën.
Në protestë, aktivistë dhe qytetarë do të mblidhen në sheshin “Skënderbe”, duke filluar nga ora 15:00.
Kjo protestë është organizuar nga grupi “Asnjë cent ma shumë” me qëllim të ngritjes së zërit kundër varfërisë energjetike.
Presidenca e ka kundërshtuar një gjë të tillë, duke dërguar edhe komte në ZRrE.
“Në vazhdë të një rritjeje potenciale, rikujtojmë se rritja e tarifave nuk mund të bëhet si një proces i izoluar, por duhet të marrë parasysh kontekstin zhvillimor dhe aspektin e mirëqenies në vend. Kjo kërkon një analizë të mirëfilltë të rrethanave duke u fokusuar po ashtu në mbrojtjen e konsumatorëve dhe situatën ekonomike aktuale”, është thënë në komunikatën për media të Presidencës.
Shtrenjtimi i energjisë elektrike është kundërshtuar fuqishëm edhe nga partitë opozitare. Opozita ka fajësuar Qeverinë për këtë shtrenjtim.
Ndryshe nga Presidenca dhe opozita, Qeveria në detyre e ka pranuar shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Të premten, përmes një komunikate për media, Ministria e Ekonomisë, ka treguar se rritja e tarifave pranohet me vetëm një kundërshtim.
Ministria e Ekonomisë ka thënë se “konsideron” që rritja nuk duhet të prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kËh.
“Në këtë drejtim, konsiderojmë se është e drejtë që rritja të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kËh dhe të shtohet numri i brezeve (blloqeve) të konsumit për konsumin mbi 800 kËh. Këto, duke marrë parasysh analizat tona të trendeve dhe shpërndarjes së konsumit të cilat i përmbledhim shkurtimisht më poshtë”, thuhet mes tjerash aty.
Ndërkohë, në fillim, komunikata citon raportet e publikuara nga Zyra e Rregullatorit të Qeverisë.
“Më 14 mars 2025, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), rregullator i pavarur i sektorit, ka publikuar raportet konsultative lidhur me shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025. Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kanë analizuar raportet dhe trendet në sektor. Komentet dhe sugjerimet tona drejtuar ZRrE-së në konsultim publik përqendrohen kryesisht në dy drejtime: mënyrat se si mund të ulet niveli i propozuar i rritjes; dhe shpërndarja e barrës së rritjes brenda grupeve të konsumatorëve. Në këtë drejtim, konsiderojmë se është e drejtë që rritja të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kËh dhe të shtohet numri i brezeve (blloqeve) të konsumit për konsumin mbi 800 kËh. Këto, duke marrë parasysh analizat tona të trendeve dhe shpërndarjes së konsumit të cilat i përmbledhim shkurtimisht më poshtë”, është në komunikatë.
Në fund të vitit të kaluar, tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë i kërkuan Rregullatorit të energjisë rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.
KOST, KEDS dhe KESCO kanë dorëzuar raportet e tyre në ZRrE, përmes të cilave kanë kërkuar shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Kjo është hera e tretë që gjatë mandatit të Qeverisë Kurti ngritët çmimi i energjisë elektrike./Lajmi.net/