“Kjo padrejtësi e institucionalizuar rihap plagë historike” – Vengu për gjyqin në Hagë thotë se po tentohet të barazohen çlirimtarët me gjenocidarët
Duke reaguar ndaj kërkesave për dënime maksimale për ish-drejtuesit e UÇK-së, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu deklaroi se revolta publike buron nga nevoja që drejtësia ndërkombëtare të jetë e ndershme dhe historikisht e përgjegjshme. Ai theksoi se paraburgimi mbi pesë vjet dhe natyra e akuzave po përdoren për të përmbysur dallimin mes agresorit dhe viktimës,…
Lajme
Duke reaguar ndaj kërkesave për dënime maksimale për ish-drejtuesit e UÇK-së, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu deklaroi se revolta publike buron nga nevoja që drejtësia ndërkombëtare të jetë e ndershme dhe historikisht e përgjegjshme.
Ai theksoi se paraburgimi mbi pesë vjet dhe natyra e akuzave po përdoren për të përmbysur dallimin mes agresorit dhe viktimës, ndërkohë që krimet e dokumentuara të aparatit shtypës serb ndaj shqiptarëve të Kosovës mbeten të pandëshkuara, duke minuar besimin në institucionet e drejtësisë dhe stabilitetin e rajonit.
“Revolta ndaj kërkesës për dënime maksimale për ish-drejtuesit e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi buron nga kërkesa që drejtësia të jetë e ndershme dhe historikisht e përgjegjshme.
Paraburgimi mbi pesë vjet dhe natyra e akuzave janë kthyer në instrument për të përmbysur dallimin mes agresorit dhe viktimës, ndërsa krimet e dokumentuara të aparatit shtypës serb ndaj shqiptarëve të Kosovës mbeten të pandëshkuara.
Është evidente se përpjekja për të barazuar çlirimtarët tanë me gjenocidarët e Srebrenicës mbështetet në akuza të fabrikuara me ndikimin rus mbi Këshillin e Europës.
Kjo padrejtësi e institucionalizuar rihap plagë historike dhe minon besimin e popujve në institucionet e paqes. Në këtë formë, gjykatat ndërkombëtare po delegjitimojnë të Drejtën ndërkombëtare dhe parimin e vetëvendosjes së popujve.
E ardhmja e Kosovës, e Serbisë dhe stabiliteti i rajonit ndërtohen vetëm mbi drejtësi të besueshme, të paanshme dhe historikisht të përgjegjshme – jo mbi barazimin e çlirimtarëve me gjenocidarët”, tha Vengu.