“Kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirupafshim” – Pesë vjet nga fjalimi i fundit i Hashim Thaçit para se të nisej në Hagë

Sot bëhen saktësisht pesë vjet që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dërgua në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, së bashku me tre ish-krerët e tjerë politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në ditën kur u njoftua aktakuza ndaj tij, Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit dhe mbajti një konferencë…

Lajme

05/11/2025 11:05

Sot bëhen saktësisht pesë vjet që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dërgua në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, së bashku me tre ish-krerët e tjerë politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në ditën kur u njoftua aktakuza ndaj tij, Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit dhe mbajti një konferencë për media, ku përcolli disa mesazhe për qytetarët e Kosovës, transmeton lajmi.net.

“Sot më shumë se kurrë iu lus dhe iu bëj thirrje që të mos e humbisni shpresën, durimin dhe besimin. Sot më shumë se kurrë iu ftoj të reflektojmë se sa shumë kemi fituar si komb në këto tri dekada. Aktakuza kundër meje dhe bashkëluftëtarëve të mi është një çmim i vogël që kërkohet ta paguajmë për lirinë e vendit dhe popullit tonë,” pati deklaruar Thaçi.

Ai theksoi se ndihej krenar për rrugën e tij politike dhe ushtarake:

“Jam krenar që kam qenë pjesëtar i UÇK-së – vlerës më sublime të kombit shqiptar. Jam krenar që, bashkë me aleatët tanë ndërkombëtarë dhe me NATO-n, kemi luftuar regjimin e Millosheviqit dhe kemi fituar lirinë.”

Thaçi shtoi se populli i Kosovës është liridashës, por jo hakmarrës:

“Asnjë pretendim nuk do të mund të ndryshojë apo të rishkruajë historinë. Kosova ka qenë viktimë, Serbia ka qenë agresore. Kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirupafshim. Do të shihemi përsëri dhe do të dalim faqebardhë. Ky është premtimi im për ju. Zoti e bekoftë Kosovën.”

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë pritet të përfundojë në pranverën e vitit të ardhshëm./Lajmi.net/