Kina do të paguajë 400 miliardë dollarë gazin rus

Kina do të blejë nga kompania shtetërore ruse nga 38 miliardë metra kub gaz në periudhën prej 30 vjetëve. 

Lajme

21/05/2014 17:36

Gjiganti energjetik shtetëror rus, Gazprom, ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me autoritetet kineze për një marrëveshje të gjerë mbi furnizimin me gaz.

Marrëveshja, e publikuar më 21 maj, vjen në kuadër të vizitës që presidenti rus, Vladimir Putin e realizoi në Shangai.

Shefi i Gazpromit, Aleksei Miller, është cituar të ketë thënë se kontrata për furnizim me gaz me Kinën vlen 400 miliardë dollarë për periudhën kohore prej 30 vjetësh.

“Kjo është kontrata më e madhe e Gazpromit. Asnjë kompani nuk ka nënshkruar kurrë një kontratë si kjo”, ka thënë Miller.

Por, ai ka refuzuar të zbulojë çmimin e saktë të gazit, duke e quajtur atë “fshehtësi komerciale”.

Marrëveshja parasheh që Rusia ta furnizojë Kinën me 38 miliardë kub gaz në vit, nëpërmjet një gazpërçuesi të ri që lidh dy vendet.

Rusia dhe Kina janë duke punuar për më shumë se dhjetë vjet në këtë marrëveshje, por nënshkrimi i saj ka vonuar për shkak të mosmarrëveshjeve rreth çmimit të gazit.