Kica-Xhelili: Hipokrizia po shitet lirë, por Kosova do ta paguajë shtrenjtë

Deputetja e LDK, Doarsa Kica Xhelili, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke akuzuar një grup deputetësh në Kuvend për sabotim të qëllimshëm të procedurave parlamentare dhe për përçarje të thellë institucionale. Ajo ngriti alarmin për, siç e quan, rrezikimin e rendit kushtetues. “Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës kemi dy grupe deputetësh,”…

Lajme

25/07/2025 19:59

Deputetja e LDK, Doarsa Kica Xhelili, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke akuzuar një grup deputetësh në Kuvend për sabotim të qëllimshëm të procedurave parlamentare dhe për përçarje të thellë institucionale. Ajo ngriti alarmin për, siç e quan, rrezikimin e rendit kushtetues.

“Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës kemi dy grupe deputetësh,” shkroi Kica. “Njëri kërkon të votojë sipas rregullave kushtetuese – për, kundër apo abstenim për Kryetarin e Kuvendit. Tjetri përdor çdo mjet për ta bllokuar procesin – me komisione të fshehta jashtë çdo procedure apo ndërprerje arbitrare të seancave.”

Deputetja e LDK shprehet se paradoksi më i madh është që pas çdo seance, ndëshkimi kërkohet ndaj atyre që insistojnë në ligjshmëri, jo ndaj atyre që e minojnë atë, transmeton lajmi.net

Në reagimin e saj, Kica nuk kurseu as kritikat ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën e akuzoi për hipokrizi. Ajo citoi filozofin La Rochefoucauld: “Hipokrizia është nderimi që veset ia bëjnë virtytit”, duke shtuar se sipas saj, VV nuk ka më as hijen më të turbullt të ndershmërisë.

“Shtiren si të ndershëm në publik, për të fituar përkrahje, ndërkohë që rrënojnë themelet e rendit kushtetues,” theksoi ajo. “Shoqëria jonë, duke blerë lirë hipokrizinë, do ta paguajë shtrenjtë çmimin – me çmimin e vetë Kosovës.”

Në fund të postimit, Kica tha se ia lejon optimizmin të besoj se janë këndellur.

“Ma lejoni optimizmin, qoftë edhe naiv, të besoj se jemi këndellur,” përfundoi ajo./Lajmi.net/