Kica-Xhelili: Haxhiut është ndërtuar mbi ofendime, e jo mbi vlerësime politike e ligjor, u flet militantëve të vet

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, përmbysi argumentin e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje se ata mund të veprojnë me të njëjtën logjikë të – siç pretendojnë ata – opozitës në lidhje me përzgjedhjet e nënkryetarëve të Kuvendit. Dallimi i Kryekuvendarit me nënkryetarët e këtij institucioni, sipas kundërargumentit të zonjës Kica-Xhelili, buron nga fakti…

Lajme

23/04/2025 21:28

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, përmbysi argumentin e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje se ata mund të veprojnë me të njëjtën logjikë të – siç pretendojnë ata – opozitës në lidhje me përzgjedhjet e nënkryetarëve të Kuvendit.

Dallimi i Kryekuvendarit me nënkryetarët e këtij institucioni, sipas kundërargumentit të zonjës Kica-Xhelili, buron nga fakti se i pari përfaqëson Kuvendin si tërësi.

“Kryetari i Kuvendit nuk e përfaqëson partinë politike, ai e përfaqëson Kuvendin, por vetëm si e drejtë i përket partisë më të madhe. Dallimi i KK me nënkryetarët është pikërisht ky, sepse ai përfaqëson Kuvendin, e ata tjerët janë veç emërime politike,” – tha deputetja e LDK-së.

Në këtë kontekst, Kica-Xhelili tha se vlerësimi i partisë së saj është se kryetari i parlamentit duhet “të jetë në gjendje ta përfaqësojë Kuvendin denjësisht, e jo antitezën e dinjitetit të Kuvendit.”

Në rastin e propozimit të Albulena Haxhiut për kryekuvendare nga partia fituese, deputetja Kica-Xhelili e përkufizoi rrugëtimin e saj politik si “të ndërtuar mbi ofendime” dhe jo “mbi vlerësime politike e ligjore.”

“Rrugëtimi politik i Albulena Haxhiut është ndërtuar mbi ofendime, e jo mbi vlerësime politike e ligjore. Dhe unë nuk kam si ta quaj përveç hipokrizi performative. U flet veç militantëve të vet, asgjë të vërtetë nuk ka çka flet”, tha ajo.