Kica-Xhelili: Ekspertët amerikanë janë kundër politikave të Serbisë, por edhe kundër qasjes së Kurtit

Deputetja e legjislaturës që kaloi nga rradhët e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj diskutimeve të fundit që po qarkullojnë rreth qëndrimeve të ekspertëve amerikanë për zhvillimet në Kosovë dhe rajon. Ajo ka sqaruar se analizat e këtyre ekspertëve janë keqinterpretuar nga disa komentues, të cilët po e paraqesin sikur ata mbështesin qasjen e Qeverisë…

Lajme

03/12/2025 17:28

Deputetja e legjislaturës që kaloi nga rradhët e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj diskutimeve të fundit që po qarkullojnë rreth qëndrimeve të ekspertëve amerikanë për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.

Ajo ka sqaruar se analizat e këtyre ekspertëve janë keqinterpretuar nga disa komentues, të cilët po e paraqesin sikur ata mbështesin qasjen e Qeverisë Kurti.

Kica-Xhelili thekson se, sipas deklarimeve të tyre, ekspertët amerikanë kanë qenë plotësisht të qartë për disa çështje me rëndësi të madhe për Kosovën:

Kërkojnë që qeveria amerikane të publikojë një raport të plotë për sulmin terrorist në Banjskë, përfshirë rolin e shtetit serb në organizimin e tij.

Kundërshtojnë heqjen e sanksioneve ndaj kompanisë serbe NIS, e lidhur me interesat energjetike të Rusisë.

Mbështesin vazhdimin e asistencës së SHBA-së për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Kërkojnë rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë, në mënyrë që ajo të zbatojë marrëveshjet e dialogut.

Konfirmojnë se Serbia po merret me pasivizimin e adresave të shqiptarëve, një praktikë që prek të drejtat e qytetarëve shqiptarë që jetojnë atje.

Evidentojnë se Serbia shkel të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet publike, duke cenuar standardet e të drejtave të njeriut.

Sipas Kica-Xhelilit, të gjitha këto qëndrime dëshmojnë qartë se ekspertët amerikanë janë kundër politikave destabilizuese të Serbisë dhe kundër ndikimit rus në rajon. Por ajo nënvizon se, njëkohësisht, të njëjtit ekspertë kanë qenë të bashkuar në vlerësimin e tyre se kryeministri Albin Kurti po përbën pengesë në proceset kyçe strategjike.

“Pra, e përbashkëta e tyre ishte se janë kundër politikave serbe, dhe kundër Kurtit. Veç po e konfirmoni atë që thash,” shkruan Kica-Xhelili, duke iu drejtuar atyre që, sipas saj, po e përdorin pjesërisht ose gabimisht analizën e ekspertëve për ta relativizuar mesazhin e tyre.

Deputetja e LDK-së thekson se qëndrimet e ekspertëve amerikanë nuk janë pro-Qeverisë Kurti, por përkundrazi, ato tregojnë qartë shqetësimin e tyre për drejtimin aktual të politikës së jashtme dhe të brendshme të Kosovës./Lajmi.net/