KFOR-i me helikopterë ndihmon në shuarjen e zjarreve në Kosovë

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) me trupat e aviacionit amerikan në Komandën Rajonale-Lindje, po vazhdon të ndihmojë Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave në Kosovë (AME), në shuarjen e zjarreve të cilat kanë prekur pjesë të ndryshme të Kosovës. Në njoftimin e bërë nga KFOR thuhet se dy ekipe UH-60 Black Hawk, kryen hedhje të…

Lajme

28/07/2025 12:43

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) me trupat e aviacionit amerikan në Komandën Rajonale-Lindje, po vazhdon të ndihmojë Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave në Kosovë (AME), në shuarjen e zjarreve të cilat kanë prekur pjesë të ndryshme të Kosovës.

Në njoftimin e bërë nga KFOR thuhet se dy ekipe UH-60 Black Hawk, kryen hedhje të shumta uji nga ajri mbi rajonet e prekura nga zjarret, në përpjekje për të kontrolluar flakët që kërcënonin popullsinë civile dhe infrastrukturën lokale, transmeton Telegrafi.

“Gjatë një periudhe dyorëshe, ekipet përfunduan 18 hedhje uji, duke sjellë më shumë se 43.500 litra ujë në zonën e prekur. Përpjekje të tilla nxjerrin në pah aftësinë e reagimit të shpejtë të KFOR-it dhe përkushtimin e tij të palëkundur për të mbrojtur popullsinë lokale dhe për të ndihmuar autoritetet e emergjencave civile gjatë kohërave të krizës”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Ndryshe, Agjencia për Menaxhimin Emergjent ka njoftuar ditën e diel se sipas të dhënave të pranuara në Qendrën Operative të Agjencisë, gjatë gjashtë orëve të fundit janë raportuar gjithsej 80 vatra zjarri, ku prej tyre, 35 janë ende aktive, ndërsa 45 janë lokalizuar.

Situata më e vështirësuar paraqitet në Komunën e Klinës, konkretisht në fshatrat Siqevë dhe Resnikë.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshimtë në numrat emergjentë 112, 193 ose 192”, thuhet në njoftim.

Me zjarre janë përballur edhe disa vende në rajon, si në Shqipëri e Greqi.