Këtyre ditëve nisë ristrukturimi i përgjithshëm i Telekomit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, ka paralajmëruar se këtyre ditëve do të nisë ristrukturimi i përgjithshëm në Telekom, që nga burimet njerëzore, borxhet, zyrat ligjore dhe çdo gjë tjetër.

Lajme

25/05/2019 07:58

Ai ka thënë se përmes këtij ristrukturimi parashihet ulja e shpenzimeve në të gjitha format duke nisë prej rialukimit të gradave të punëtorëve dhe uljes së pagave për punëtorët e kësaj ndërmarrje.

“Ristrukturimi në Telekom do të ndodh dhe do të fillojë tash, po flasim për ditët në vijim për arsye se Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim është inkuadruar, ka tenderuar ekspertizën për ristrukturim, pra ekspert i jashtëm do të vijë ta bëjë një hulumtim, një analizë të Telekomit dhe pastaj do të vijmë me rekomandime të sakta për ristrukturimin dhe aty mund të ketë ristrukturim që nga burimet njerëzore deri te borxhet, zyrat ligjore dhe çdo gjë tjetër pra, ristrukturim i përgjithshëm i Telekomit. Kjo parasheh ulje të shpenzimeve në të gjitha format, qoftë më rialukimin e gradave të punëtorëve sepse e dimë që në Telekom ka shumë punëtorë mirëpo problemi është që ka shumë punëtorë me grada të larta, ka shumë menaxherë, mbikëqyrës, prandaj të gjitha këto duhet të ristrukturohen në të mirë të Telekomit dhe kjo do të luaj rol në listën e përgjithshme të pagave që ka Telekomi”, ka thënë Lluka në një intervistë për Ekonomia Online.

Por, për Llukën edhe nëse Telekomi arrin ta sigurojë ekzistencën e vet në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet produktiv ashtu siç do të mund të bëhej pas privatizimit.

“Besoj që shumë shpejt Telekomi do të këndellet dhe do të ketë një situatë ku do të mund të ketë bilanc pozitiv të fitimit. Ne e dimë që Telekomi është i mbipunësuar , e dimë që në Telekom ka potencial për zhvillim dhe qëllimi ynë është privatizimi si plan final i Telekomit dhe aty duhet të fokusohemi. Telekomi edhe nëse arrin ta sigurojë ekzistencën e vet në asnjë formë nuk mund të bëhet produktiv dhe efikas siç mund të jetë një Telekom i menaxhuar nga sektori privat. Qeveria e Kosovës do të mbetet aksionar me 25 deri 49 për qind dhe vlera e këtyre aksioneve”, tha ai.

E duke folur për borxhin që i detyrohet Telekomi t’ia paguajë kompanisë Z-Mobile, Lluka tha se janë duke negociuar që të gjendet një formë për ta paguar këtë borxh i cili është i obligueshëm.

“Ne jemi pajtuar që deri më 15 qershor ta bëjmë një plan të pagesave sepse ky është një borxh që ka vendosur Arbitrazhi, është një vendim që nuk mund të ndryshohet sepse është vendim i Arbitrazhit dhe si i tillë është borxh që duhet paguar, pa marrë parasysh se si ka ardh te ky borxh. Në këtë rast ne jemi humbës si Telekom dhe  rrjedhimisht si aksionar dhe ky borxh duhet paguar. Një ndër format është ku Qeveria e Kosovës mund t’ia ofrojë ndonjë garancion shtetëror në mënyrë që Telekomit t’i ipet qasje në kredi të ndryshme për ta paguar borxhin apo të shikohet ndonjë formë tjetër të cilat jemi duke i shqyrtuar ose me rata që të paguhet kjo shumë 25. 9 milionë euro pas pasë ndonjë interferencë për kontratën”, tha Lluka për Ekonomia Online.

Lluka në këtë intervistë ka folur edhe rreth termocentralit “Kosova e Re”, projekt ky i cili sipas parashikimeve pritet të nisë në fund të këtij vitit.

“Opiku amerikan, agjensioni amerikan shtetëror që bën financimin e investimeve amerikane jashtë vendit e ka marrë përsipër që të jetë si udhëheqës i këtij konsorciumi të pakos financiare, e kanë shtyer për në shtator mbledhjen e bordit në të cilën pritet të aprovohet Pako Financiare. Besoj në muajin qershor do ta kuptojmë se sa do të kushtojë Termocentrali dhe në shtator do ta kuptojmë pakon financiare. Dhe, me përfundimin e këtyre dy pikave kritike e dimë saktë se sa do të kushtojë Termocentrali dhe sa do të jetë impakti në tarifat për qytetarët. Në muajin tetor duhet të shkoj pako në Parlamentin e Kosovës për aprovim, nëse çdo gjë shkon në rregull atëherë ndërtimi mund të nisë menjëherë. I kemi dhënë dritë të gjelbër kompanisë Countur Global që të nisë me pastrimin e terrenit, të rregullohet terreni. Ato mund të fillojnë në muajin qershor”, ka thënë Lluka.

Ministri Lluka duke folur për angazhimin e inxhinierëve të pavarur në projektin për Termocentralin derisa ka thënë se ndarja buxhetore është 4 milionë euro për 6 vjet për këta inxhinier të cilët do të ofrojnë shërbime profesionale që për Qeverinë e Kosovës përfaqësojnë interesat për mbikëqyrjen e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”.

Ai tha se këta  inxhinier do të jenë ekspert të jashtëm që kanë për detyrë mbikëqyrjen ngase siç tha ai Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme që garantojnë se investimi po ndodh në pajtim me marrëveshjen.

“4 milionë euro është ndarja e buxhetit për inxhinier të pavarur. Ka lind një keqkuptim, këto nuk janë këshilltar dhe nuk janë shërbime këshillëdhënëse, këto janë  shërbime profesionale që për Qeverinë e Kosovës përfaqësojnë interesat për mbikëqyrjen e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” dhe këta përfshihen që nga tash, në fazën e negocimit deri në fazën e përfundimit të Termocentralit. Pra, është një buxhet rreth 4 milionë euro për 6 vjet sepse merr kohë ndërtimi, funksionalizimi dhe testimit i Termocentralit. Ky inxhinier do të jetë i pavarur, një ekspert i jashtëm e ka për detyrë që në emër të Qeverisë së Kosovës ta bëjë mbikëqyrjen. Ne nuk i kemi kapacitetet tona vendore të mjaftueshme në mënyrë që të garantohemi që investimi po ndodhë ashtu siç jemi pajtuar me marrëveshje”, ka thënë Lluka për EO.

Në fillim të muajit shkurt janë pranuar ofertat e fundit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Dy kompani i kanë dërguar ofertat: Mitsubishi Hitachi nga Japonia dhe General Electric nga SHBA. Para pak ditësh ka dalë që ofertuesi i preferuar është General Electric, kompani amerikane.