Këto janë vendet ‘parajsë’ për paratë e politikanëve të korruptuar
Julia Keseru, eksperte për qeveri të hapur nga SHBA-të, tregon se cilat janë vendet ku politikanët fshehin informacionet financiare të tyre, aksionet etj. Ajo sugjeron që Kosova të bëjë ngritjen e kapaciteteve të hetimeve të sistemeve bankare ndërkufitare.
Lajme
Zvicra, Luksemburgu, Lichtensteini, disa ishuj në Karaibe dhe disa shtete në SHBA, janë shpresat më të mëdha për politikanët e korruptuar që të mbajnë paratë e tyre të fshehura.
Sistemi bankar në këto vende krijon lehtësira mbështetur nga një pako ligjesh, për politikanët që s’duan t’u zbulohen informatat. Kështu bën të ditur Julia Keseru, eksperte për qeveri të hapur me fokus të veçantë, për financa politike dhe korrupsion, menaxhere e Fondacionit “Sunlight”, organizatë kjo amerikane me bazë në Washington. Ajo ka qëndruar për disa ditë në Kosovë për të folur për transparencën rolin e medieve dhe të shoqërisë civile për një qeverise të hapur.
“Zvicra është një ndër shpresat më të mëdha për politikanët për të mbajtur paratë e tyre, sepse atje sistemi bankar është mjaft liberal dhe vërtet ka shumë presione ndaj Zvicrës nga vendet e tjera për të ndaluar këtë praktikë, deh jo vetëm Zvicra, por edhe Luksemburgu, Lichtensteini, disa ishuj në Karaibe, disa shtete në SBA, kanë një pako ligjesh jotransparente, prandaj shumë kompani shkojnë dhe regjistrohen atje”, tregon Keseru në një intervistë për gazetën “Zëri”.
Ajo thotë se “në qoftë se nuk keni të gjitha të dhënat ën vendin tuaj, nuk dini asgjë rreth kompanisë dhe aksionarëve dhe ku politikanët i mbajnë paratë e tyre, sepse ato shkojnë në vende të tjera”.