​Këto janë masat e sigurisë para sfidës Shqipëri-Andorrë

Ndeshja Shqipëri-Andorrë zhvillohet të hënën nga ora 20:45 në “Air Albania” dhe tashmë Policia e Shtetit ka bërë të ditur masat paraprake të sigurisë. Policia do të përcjellë futbollistët mysafirë nga aeroporti i Rinasit në hotel, stadium dhe anasjelltas, si dhe sigurimin e futbollistëve kuqezi në stadium. Shërbimet e policisë nuk do të lejojnë futjen…

Lajme

23/03/2025 20:46

Ndeshja Shqipëri-Andorrë zhvillohet të hënën nga ora 20:45 në “Air Albania” dhe tashmë Policia e Shtetit ka bërë të ditur masat paraprake të sigurisë.

Policia do të përcjellë futbollistët mysafirë nga aeroporti i Rinasit në hotel, stadium dhe anasjelltas, si dhe sigurimin e futbollistëve kuqezi në stadium.

Shërbimet e policisë nuk do të lejojnë futjen në stadium të sendeve të kundërligjshme si lëndë piroteknike, flakadanë, banderola me përmbajtje raciste, monedha metalike, çadra, çakmakë dhe sende të forta të rrezikshme.

Nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, do të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, si dhe rrugëve “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima” e “Asim Zeneli” pranë Ambasadës së SHBA-së, ⁠“Themistokli Germenji”, “Gjergj Filipi”, “Lekë Dukagjini”, nga ish-Garda e Republikës deri te stadiumi, ⁠rruga “Faik Konica” dhe “Skerdilajd Llagami”.

Policia informon shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se veprimet e dhunshme si hyrja në fushën e lojës nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë 50.000-100.000 lekë (500-1.000 euro) ose me burgim deri në 3 muaj.

Hedhja e gjësendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve gjatë ndeshjes dënohen me 6 muaj deri në 3 vjet burg, raporton KosovaPress.

Çdo biletë duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas radhës, do të kalojë për t’iu kontrolluar barkodi nga pajisja që regjistron automatikisht çdo përpjekje për të hyrë me biletë të falsifikuar.

Kujtojmë, kuqezinjtë pas humbjes kundër Anglisë në Wembley, do të kërkojnë fitoren e parë në grupin K kualifikues për Botërorin në SHBA-Meksikë-Kanada më 2026. Në grup me Shqipërinë ndodhen edhe Anglia, Letonia, Serbia.