​Këto janë kërkesat e punëtorëve të “Pastrimit”

Sindikata e re e Ndërmarrjes Publike “Pastrimi”, në takim me kryetarin e Prishtinës Përparim Rama, kanë kërkuar rrogë, kamionët e naftë për të operuar. Në këtë takim, atyre iu premtua nga ana e Komunës së Prishtinës që do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për të sjellë vendimin për subvencionimin e pagave të punëtorëve me…

Lajme

19/05/2025 14:04

Sindikata e re e Ndërmarrjes Publike “Pastrimi”, në takim me kryetarin e Prishtinës Përparim Rama, kanë kërkuar rrogë, kamionët e naftë për të operuar.

Në këtë takim, atyre iu premtua nga ana e Komunës së Prishtinës që do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për të sjellë vendimin për subvencionimin e pagave të punëtorëve me një kontratë prej 1.5 milionë euro dhe të kenë një të tretën e regjionit të Prishtinës.

Drejtori i shërbimeve publike në komunë, Bekim Brestovci tregoi se çka u flit në këtë takim.

“Ne ripërsëritëm gatishmërinë tonë për të vazhduar punën me ata që janë të interesuar të punojnë dhe ofrojnë shërbim. Qysh sot, me një person të autorizuar në ndërmarrjen Pastrimi, ta nënshkruajmë kontratën prej 1.5 milionë për punët shtesë, u dakorduam se nëse krijohen kushtet nga Pastrimi, që ata të kenë mundësi të dalin dhe të operojnë, ta kenë një të tretën e regjionit të Prishtinës, shprehëm gatishmërinë që të thirrim përsëri një seancë të jashtëzakonshme që prapë ta sjellim vendimin për subvencionim e pagave për punëtorët”, tha Brestovci.

Ndërsa, kryetari i sindikatës së re të ndërmarrjes publike “Pastrimi”, Ardian Krasniqi u shpreh se nuk kanë mjete dhe se fajin nuk po e merr as menaxhmenti dhe as Komuna e Prishtinës.

Sipas tij, momentin që operatorët privat janë paguar me pagat e tyre prej 420 mijë euro, ka pruar në këtë gjendje ndërmarrjen “Pastrimi”, duke u paguar nga 230 apo 250 mijë euro.

“Ne jemi pa mjete, komuna thotë i ka fajet menaxhmenti, menaxhmenti thotë unë nuk kam të ardhura na i kanë ndalur. E vërteta është që dy operatorët privat, vitin që shkoi na kanë pru në atë gjendje. Ne kemi pasur kontratë me vlerë 420 mijë euro, të cilat i kanë kaluar privatit në momentin që ka operu ai, ne nuk i kemi marrë nga 420 mijë por 250-230 mijë dhe kemi ardhur aty ku jemi. Neve si punëtor na intereson me pas naftë, kamion e rrogë. Na tha se këto ditë do bëhet një seancë për me na ndihmu dhe u fol për një kontratë 1.5 milionëshe që të nënshkruhet ajo”, shtoi Krasniqi.

Para protestës së punëtorëve të ndërmarrjes “Pastrimi”, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u takua edhe me sindikatën e pavarur të ndërmarrjes publike “Pastrimi”.