Këtë vit 225 biznese të reja më pak se vitin e kaluar
Maji i vitit 2026 e gjen Kosovën me 225 ndërmarrje më pak të regjistruara, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë këtij muaji janë regjistruar 1 mijë e 108 biznese, duke shënuar një rënie prej 16.9 për qind. Rënie vërehet edhe në raport me muajin…
Lajme
Maji i vitit 2026 e gjen Kosovën me 225 ndërmarrje më pak të regjistruara, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë këtij muaji janë regjistruar 1 mijë e 108 biznese, duke shënuar një rënie prej 16.9 për qind.
Rënie vërehet edhe në raport me muajin paraprak, ku numri i ndërmarrjeve të reja ka pësuar tkurrje për 1.4 për qind.
Kushtrim Ahmeti nga dhoma e Tregtisë dhe Industrisë thotë se të bërit biznes në Kosovë është vështirësuar.
“Ambienti për të bërë biznes në Kosovë është jashtëzakonisht i vështirë, i pafavorshëm, demoralizues edhe për këta që janë në vend ende duke punuar”, vlerëson Ahmeti
Ahmeti thekson se veçanërisht bizneset prodhuese po tregojnë gjithnjë e më pak interes për investime.
“Nëse shikon përqindjet, pjesa dërrmuese e bizneseve sot që hapen në Kosovë janë biznese tregtare, e marrin mallin e gatshëm, e shesin, e kryejnë atë shërbim. Nuk ka më gatishmëri prej bizneseve për të bërë prodhim në Kosovë”, thotë ai.
Në anën tjetër, ekonomisti Bashkim Mustafa vlerëson se mungesa e stabilitetit politik është njëri nga faktorët kyç për këtë situatë.
“Pasiguria e fundit që është krijuar vitet e fundit është edhe shkalla e lartë e inflacionit. Pra kemi një normë të inflacionit ku njerëzit dhe bizneset hezitojnë. Kur ka shkallë të lartë të inflacionit, ka hezitime për shkak të riskut të lartë se mos po i bie parasë vlera”, shprehet Mustafa.
Struktura e ndërmarrjeve të reja vazhdon të dominohet nga bizneset e vogla.
Nga totali, 1 mijë e 101 janë mikro ndërmarrje me deri në 9 të punësuar, ndërsa vetëm 7 biznese janë të kategorisë së vogël me 10 deri në 49 të punësuar.
Për këtë muaj nuk është regjistruar asnjë ndërmarrje e mesme apo e madhe.