Këta raportohet se janë dy nga shtatë personat e arrestuar të dyshuar për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika

Dy nga personat që raportohet të jenë arrestuar për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, janë Rejhan Bela (18 vjeçar) dhe Haki Bela. Gazeta Sinjali raportoi me burime të veta emrat e disa prej personave të arrestuar (Rejhan Bela, Haki Bela dhe Rilind Murati(, ndërsa Policia e Kosovës tha se do të dalin në komunikatë zyrtare…

Lajme

21/04/2025 12:36

Dy nga personat që raportohet të jenë arrestuar për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, janë Rejhan Bela (18 vjeçar) dhe Haki Bela.

Gazeta Sinjali raportoi me burime të veta emrat e disa prej personave të arrestuar (Rejhan Bela, Haki Bela dhe Rilind Murati(, ndërsa Policia e Kosovës tha se do të dalin në komunikatë zyrtare inicialet e të arrestuarve.

Shtatë persona u arrestuan sot në Kaçanik pas një aksioni madhor policor në lidhje me vrasjen e rreshterit Muhamed Lika.

Tre nga shtatë personat e arrestuar janë në procedim penal edhe për djegien e Gjykatës së Kaçanikut si dhe shpërndarje të pamfleteve ekstremiste.

Tre nga shtatë të arrestuarit të dyshuar për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, kanë qenë të përfshirë edhe në shpërndarje të pamfleteve ekstremiste si dhe djegien e Gjykatës së Kaçanikut – rreshteri Muhamed Lika, ka qenë duke zhvilluar hetime për ato raste. Ndërlidhje eksplicite mes këtyre dy rasteve, megjithatë ende nuk u vendos. Por, se të njëjtit persona të arrestuar për ato raste janë arrestuar edhe sot.

Këto detaje i shpaloi Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në konferencë për media pas aksionit të madh policor që u zhvillua mëngjesin e së hënës në Kaçanik në ndërlidhje me vrasjen e rreshterit Muhamed Lika më 1 prill.

Një nga të arrestuarit – dhe të dyshuarit kyç për vrasjen – është edhe një person që sot i mbush 18 vjet.

“Këta persona të dyshuar, disa nga ta kanë qenë të arrestuar në këtë rast, dhe të njëjtit janë të arrestuar edhe sot. Janë të dyshuar se janë planifikuar dhe vrasjen e policit”, tha Hoxha.

“Janë sekuestruar dy vetura, telefona, lap-topë, armë zyrtare me 30 fishekë, maska, tyta të armëve, kapela sportive, dylbi dhe dëshmi të tjera. Ka marrë pjesë njësitet policore, operacioni është udhëhequr nga drejtoria e hetimit të krimeve të rënda, dhe në asistencë kanë qenë Njësitet Speciale. Vrasja ka ndodhur për shkak të detyrës së tij zyrtare. Motivi do të qartësohet pas intervistimit dhe pas ekzaminimit të dëshmive që janë sekuestruar. Lidhet me punën e tij”, tha Hoxha.

Kryeprokurori i Ferizajt, Burim Çerkini:

“Prokurori është angazhuar maksimalisht në veprimet procedurale për këtë rast, kemi bërë të gjitha veprimet e mundshme për zbardhjen e këtij rasti. Rast kogja i ndjeshëm. Siç dihet me datën 1 prill humbi jetën rreshteri Muhamed Lika.

Ne si prokurori jemi falënderues për punën e madhe që e ka bërë Policia në bashkëpunim me Prokurorinë në Ferizaj, por edhe me Gjykatën, ku çdo kërkesë është mbështetur edhe nga ana e tyre, dhe kemi arritur t’i arrestojmë 7 persona, të cilët dyshohet, kemi dyshim të bazuar mirë, se kanë marrë pjesë në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika.

Punë e palodhshme është bërë nga Prokuroria. Sot kemi rezultat preliminar, ku 7 persona po intervistohen dhe do të vazhdohet procedura më tutje. Çka dua të them është që bashkëpunimi mes institucioneve gjithmonë rezulton me rezultate pozitive, siç është rasti sot. Si Prokurori e Polici ia kemi pas borxh rreshterit Lika që të kemi këtë punë dhe këtë rezultat.

Deri më tani është herët të flasim për motivin, sipas asaj që kemi hetuar, lidhet motivi kryesor me punën e tij si pjesëtar i Policisë. Nga ato që kemi bërë deri më tash nuk vërtetohet që ka vepruar grup me celula, por që është grup prej 7 personave që kanë marrë pjesë në kryerjen e kësaj vepre penale. Nuk ka asgjë lidhje me djegien e lokalit. Nuk ka çojnë në ndërlidhje.