Kështu e përshkruan Kadare ditëlindjen e tij

Sot është ditëlindja e shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare.

ShowBiz

28/01/2016 10:08

Kadare ka lindur më 28 janar të vitit 1936. Nga tregimet e babait, shkrimtari e përshkruan ditën e lindjes së tij në librin “Ftesë në studio” (1990). Këtë libër ai e kishte shkruar shumë pak kohë para se ta lëshonte Shqipërinë, transmeton lajmi.net

Ja një pjesë e shkëputur nga libri “Ftesë në studio”, ku autori flet për ditëlindjen e tij:

Kur në letra të ndryshme (anketa, kërkesë për vizë etj.) shënoj datën e lindjes, 28 janar 1936, vetëtimthi më shkon nëpër mend fjala “e mërkurë”. Ti ke lindur të mërkurën, më thoshte shpesh im atë, thua se kjo kishte një rëndësi më vete. Kur ishte në qejf, çka ndodhte rrallë, shtonte se atë të mërkurë, usta Vasili, që e kishim fqinj dhe që na riparonte pullazin e pjesës perëndimore të shtëpisë, porsa e kishte lënë punën për të ngrënë drekë, dhe, ndërsa zbriste nga shkalla, e kishte uruar babanë: me një djalë!

Disa minuta më pas, në dhomën e dimrit, që ndodhej pikërisht në atë pjesë të shtëpisë, pullazi i së cilës riparohej, linda unë. Ndonëse nuk e shpjegonte, kuptohej që babai i jepte një kuptim të jashtëzakonshëm urimit të mjeshtrit, që ishte duke vendosur pllakat e gurta, krejt si një mburojë sipër meje, në kohën që unë vija në jetë.

Im atë ishte i gjatë, i drejtë, fliste pak dhe, përgjithësisht, rrinte i zymtë. Vjen i ftohtë, i thoshin gjyshes shoqet për të, dhe me bisht të syrit vështronin nga unë, thua se donin të kuptonin a do t’i ngjaja. Kishte punuar disa vjet në Afrikën Veriore dhe ishte ndoshta kjo arsyeja që më kishte thënë disa herë se viset më të bukura në botë duhej të ishin vendet skandinave. Nuk kishte qenë kurrë atje, por i lodhur, siç duket, nga zhegu i shkretëtirës, nuk ëndërronte veç vise të ftohta. Kishte qenë, ndoshta, kjo arsyeja që pas kthimit nga Afrika kishte pranuar të punonte vite me radhë si ftues gjyqi në Alpet e Shqipërisë Veriore.

Gjyshin nuk e mbante mend askush në Gjirokastër. Kishte vdekur fare i ri, njëzet e pesë ose njëzet e tetë vjeç, fill pas martesës dhe pas mbarimit të studimeve të larta në Stamboll. Atje dhe u varros, pa u kthyer dot në qytetin e lindjes. Në shtëpinë tonë flitej përherë për një kësoll të madh në Stamboll, kësollin e gjyshit, dhe qysh herët në ndërgjegjen time fjala “Stamboll” shoqërohej gjithmonë nga një ceremoni funebre.

Ndryshe nga gjyshi, që i ngjasonte një fantazme, stërgjyshi kishte qenë për mua më i prekshëm. Kur në moshën dymbëdhjetëvjeçare botova vjershat e para, nisa të dëgjoj përherë e më shpesh komentet e shoqeve të gjyshes: do të bëhet i dëgjuar si Ismail Kadareja. Kështu quhej stërgjyshi im, i cili paskësh qenë i dëgjuar në Gjirokastër për… kalcunjat (lloj çorapesh) e bukura që mbante.

Me fjalë të tjera, për ndjekjen e modës. Paskëshin qenë kaq të bukura kalcunjat e tij, saqë në një këngë të njohur gjirokastrite, ku këngëtari rendiste gjërat që mund ta bënin të lumtur një njeri, krahas “sarajeve të vezirit”, “kopshtit të Çelo Kailit”, “nuseve të Dane Bakirit” dhe “zërit të bilbilit”, ishin dhe “kalcunjat e Ismailit”.

Kështu që më pëlqente ose jo, ideja e famës iu shfaq së pari ndërgjegjes sime në formë çorapesh të bukura. Në vitet studenteske, sidomos në ato të Moskës, kur pasioni për letërsinë m’u zbeh ca kohë, për shkak të ndjekjes së modës, disa herë më janë kujtuar, bashkë me fjalët: “ka për t’u bërë i dëgjuar si Ismail Kadareja”, kalcunjat e stërgjyshit. Me sa dukej, fama u mëdysh në fisin tonë midis sqimës në të veshur dhe letrave, dhe turbullira ime moskovite s’qe veç një shenjë e fundit që më dërgonte im stërgjysh për të më mbushur mendjen se lavdia më e sigurt ishte ajo e tij. /lajmi.net