Këshilltari i Osmanit: Ata që u frikësohen prokurorëve e gjykatësve që veprojnë me duart e lira kanë frikë nga Vettingu

Këshilltari i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, Artan Murati përmes një postimi në rrjetin social Facebook bëri një reagim në lidhje me çështjen e Vettingut.

Lajme

21/10/2021 21:18

Ai tha se frikë nga vetingu kanë ata që i frikësohen prokurorëve dhe gjykatësve që veprojnë me duart e lira.

“Frikë nga vetingu kanë ata që i frikësohen prokurorëve dhe gjykatësve që veprojnë me duart e lira dhe pa instruksione nga grupet joformale politike e ekonomike. Presidentja Osmani është e vendosur në çlirimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga këto kufizime që janë bërë barrë e padurueshme e padrejtësisë në Kosovë”.

“Nga raportet e  Komisionit Evropian të cilat ndër vite e patën “kapjen e shtetit” si kryefjalë e deri tek raportet ku si shqetësim evidentohet nevoja për veting ose jo, ka progres e sukses të madh. Po që se shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, në kohën kur ishte ministër i Drejtësisë apo edhe kolegu i tij nga AAK-ja, po ashtu ish-ministër i Drejtësisë, do të ishin angazhuar për shfrytëzim të vërtetë të mekanizmave eksiztues për luftimin e krimit e korrupsionit, kjo dilemë do ishte shuar me kohë.Për mungesë të veprimeve të tyre, e për më tepër, duke lejuar dobësimin e këtyre institucioneve përmes korrupsionit dhe intervenimeve politike, vetingu pastaj bëhet i domosdoshëm”, u shpreh Murati.

Ai tha se edhe Shefi i Grupit Parlamentar dhe ish-ministri i Drejtësisë, veprimin e tyre opozitarë po e ndërtojnë mbi të pavërteta.

“Shefi i Grupit Parlamentar dhe ish-ministri i Drejtësisë, veprimin e tyre opozitarë po e ndërtojnë mbi të pavërteta. Siç e dëshmojnë të gjeturat e Raportit për Kosovën këtë vit se sistemi i drejtësisë përballet me mungesë integriteti dhe efikasiteti. Për rrjedhojë, kemi mungesë të rezultateve të duhura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos për rastet që janë pre e ndikimeve politike.Kjo situatë është e papranueshme dhe për këtë qytetarët i kanë dhënë mandat të qartë Presidentes Osmani dhe institucioneve të reja të Kosovës që t’i nderrmarrin hapat e duhur në promovimin e integritetit, profesionalizmit dhe ligjshmërisë”.

“Brenga e Komisionit Evropian është adresuar në Koncept Dokumentin për realizmin e vetingut, i cili do të jetë përpjekje konstante dhe jo veprim i njëhershëm.Për më tepër, çdo hap në realizimin e vetingut po realizohet me përfshirjen e partnerëve ndërkombëtar dhe ekspertëve vendor. Rezultati që synohet me vetingun është krijimi i mekanizmave që sigurojnë se sistemi i drejsisë ofron drejtësi për qytetarët dhe jo të jetë mburojë për mbrojtjen e interesave të grupeve qoftë joformale politike apo ekonomike. Andaj, ata që tentojnë ta ndalojnë vetingun sot dhe nuk ofrojnë propozime për realizimin e tij, janë në shërbim të këtyre grupeve dhe interesave të tyre.”, tha ai.

Tutje, Murati tha se Tahiri nuk di ta bëjë dallimin ndërmjet Raportit të Progresit dhe Raportit për Kosovën dhe Raportit për Kosovën dhe deklaratës preliminare të ekipit teknik të monitoruesve të zgjedhjeve

“Për më tepër, z.Tahiri nuk di ta bëjë dallimin ndërmjet Raportit të Progresit dhe Raportit për Kosovën, si dhe Raportit për Kosovën dhe deklaratës preliminare të ekipit teknik të monitoruesve të zgjedhjeve.Në asnjë pjesë të Raportit për Kosovën të KE-së nuk ka evidentim të shkeljeve nga ana e Presidentes sepse nuk ka pasur të tilla. Çka nuk do të gjej shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së në raportin për Kosovën është “state capture” (kapja e shtetit), diçka qe e gjenim në raportin për vitet paraprake kur subjekti i tij ishte në qeverisje”

“Për më tepër, shefi i tanishëm i Grupit Parlamentar, në role të ndryshme, ka qenë pjesë e sistemit të tille të qeverisjes. Andaj, kredibiliteti i kritikave të tyre të pabazuara është joekzistent. Vetingu është mënyra e vetme për të garantuar që kemi sistem gjyqësor me integritet dhe profesional që funksionon në mënyrë të drejtë, efikase dhe larg ndikimeve politike apo ekonomike. Institucionet e Kosovës mbeten të palëkundura në qëndrimin dhe përkushtimin e tyre drejt zbatimit të këtij procesi jetik për sundimin e ligjit në vend”, përfundoi Murati.