Këshilltari i Kurtit në RMV: Kryeministri s’është deklaruar kurrë nëse shqipja është apo s’është gjuhë zyrtare
Deputeti i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Bekim Qoku, njëherit këshilltar i kryeministrit të Kosovës dhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka sqaruar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në RMV. Qoku përmes një postimi në Facebook, shkroi se “kryeministri Albin Kurti nuk është deklaruar kurrë lidhur me faktin nëse…
Lajme
Deputeti i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Bekim Qoku, njëherit këshilltar i kryeministrit të Kosovës dhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka sqaruar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në RMV.
Qoku përmes një postimi në Facebook, shkroi se “kryeministri Albin Kurti nuk është deklaruar kurrë lidhur me faktin nëse është apo nuk është gjuha shqipe zyrtare në MV”.
“Ai tha vetëm se nuk ekziston ligj për gjuhën shqipe. Ka ligj për përdorimin e gjuhës maqedonase dhe se ekziston një ligj për gjuhët. Dhe kjo nuk ka si të hidhet poshtë. Nuk ka hapësirë këtu për spekulim. Sido që të jetë, Ligji për gjuhët që i flasin 20% e qytetarëve që janë të ndryshëm nga maqedonishtja është një ofendim për çdo grup shoqëror. Ta trajtosh një komb që përbën 30% e popullsisë së një shteti si shifër është si t’i konsiderosh specie në zhdukje të konservuara nëpër rezervate. Si grupe të mbyllur nëpër kampe përqendrimi. Plus që denigrimi edhe më i madh është bërë kur kanë rënë dakord, si gjest mëshire, që termi “shqipe” të futet në kllapa. Ta parafrazosh mbiemrin “shqipe” në një ligj është vetpërçmim deri në mazokizëm”, shkroi ai.
Kjo çështje, sipas tij, ka bërë që të “kthjellohen gjërat”.
“Më bukur akoma që po kthjellohet gjërat nga mjegullnajat të përhapura në hapësirën publike nga një konjukturë e kalbur dhe e korruptuar politike dhe ekonomike këto 22 vjet e shkuar. Fantastike që po del një klasë e re politike që po i thyen ikonat e rrejshme të një narrative që i ka shërbyer vetëm një elite të korruptuar që nisi të pasurohet në mënyrë të paskrupullt në kurriz të qytetarëve të varfër që për çdo ditë e më masivisht po braktisin vatrat e tyre shekullore sepse nuk shohin perspektivë. Të gjithë e dinë mirë, e kanë ndjerë në lëkurën e tyre faktin që, sapo bien në kontakt me çfarëdo zyrtari qoftë i sektorit publik apo privat, gjuha shqipe nuk është zyrtare. Ata e dinë sepse e kanë përjetuar, të gjithë, pa marrë parasysh pozicionin, mininstër apo deputet, edhe vetë kryeministri teknik, që kur ndalohet nga oficeri i policisë në Tetovë, ai me të komunikon në gjuhën zyrtare maqedonase. Që kur ia shkruan gjobën, ia shkruan në gjuhën maqedonase”, shkroi ai.
Qoku iu referua oponentëve opozitarë, ndërsa e përmendi edhe gazetarin Baton Haxhiu,
“E dinë mirë, e ndjejnë në lëkurë, të gjithë, se kur paguan faturat e rrymës, ujit, internetit, i paguan detyrimisht me fatura në gjuhën zyrtare maqedonase. E dinë shumë mirë, se çdo akt noterial, çdo dokument nga gjykatat apo institucionet tjera duhet të jenë në maqedonisht ose, në rastin më të mirë, në dy gjuhë. Kurrë vetëm në gjuhën që e flasin 20% të qytetarëve. Të gjithë i dinë këto gjëra, sepse i kanë përjetuar dhe i përjetojnë për çdo ditë. Këto gjëra i di shumë mirë edhe Baton Haxhiu sapo mbërrin në vendkalimin kufitar Bllacë. E përjeton menjëherë po qe se zyrtari i poliicë është jo shqiptar dhe atij i duhet të komunikojë me të në gjuhën zyrtare të tij, në serbisht. Të gjithë i dinë këto. Zhurma është nga sikleti. Është nga shkundja e vërtetë. Nga zgjimi i të tjerëve për rrenat e servuara kaq gjatë”, shkroi ai.