Këshilltari i kryeministrit: Kjo është strategjia e Kosovës për bisedimet e kësaj jave në Bruksel
Valon Murtezaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa ka konfirmuar për lajmi.net që në tri ditët e ardhshme do të zhvillohen bisedime të nivelit teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Lajme
Sipas tij në këto takime do të shërbejnë si përgatitje para takimit të kryeministrave të të dy vendeve që do të mbahet me 23 qershor. Ai thotë se në bisedimet e nivelit teknik që do të zhvillohen në fillim të kësaj jave do të diskutohet zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani.
“Do të ketë bisedime gjatë javës në vijim si parapërgatitje për takimin e kryeministrave. Të gjitha takimet bëhen me qëllim të shikimit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët, ky pra është synimi kryesor i palës kosovare nga takimet e kësaj jave”, ka thënë Murtezaj për lajmi.net.
Sipas tij, temat që do të bisedohen do të jenë: kodi telefonik unik, lëvizja e lirë, shpërbërja e strukturave paralele, për energjia dhe zbatimin e marrëveshjeve në përgjithësi.
Murtezaj duke folur për pjesëmarrësit nga ana e palës kosovare në këtë takim ka thënë që ekipi do të përbehet nga ekspert të shumtë të fushave për të cilat do të diskutohet dhe delegacioni do të kryesohet nga ministrja Edita Tahiri.
“Ka shumë ekspert që do marrin pjesë sepse këto janë takime teknike, ka ekspert nga të gjitha këto fusha dhe do kryesohet nga ministrja Edita Tahiri”, tha Murtezaj.
Gjatë ditës ishte raportuar që gjatë tri ditëve (15-18 qershor) të ardhshme do të ketë bisedime në mes të Kosovës dhe Serbisë për tema kryesisht teknike.