Këshilli Prokurorial miratoi listën e 6 kandidatëve për Kryeprokuror Shteti
Këshilli Prokurorial i Kosovës, me shtatë vota për dhe një abstenim, ka miratuar listën e kandidatëve të cilët kanë plotësuar kriteret e përgjithshme të përcaktuara me nenet 3 dhe 4 të Rregullores për kriteret dhe procedurat e nominimit dhe propozimit për emërim të Kryeprokurorit të Shtetit. Mospajtime lidhur me vazhdimin e memorandumit me Institutin Kosovar për Drejtësi.
Lajme
Personat që janë vendosur në listën e të përzgjedhurve për kryeprokuror të shtetit janë Agron Galani, Shyqyri Syla, Aleksandër Lumezi, Laura Pula, Imer Beka dhe Metush Biraj.
Ky Këshill po ashtu ka vendosur që kërkesa për vazhdimin e memorandumit mes Institutit të Kosovës për Drejtësi dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës të shqyrtohet më vonë në konferencat e radhës, pasi që disa anëtarë ishin kundër e disa të tjerë e përkrahën.
Duke folur pikërisht për vazhdimin e memorandumit mes IKD-së, dhe KPK-së, Sylë Hoxha, ushtrues detyre i kryeprokurorit të shtetit, tha se kanë marrë një kërkesë nga IKD-ja për vazhdimin e bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve, duke shtuar se bashkëpunimi mes këtyre dy institucioneve ka qenë i mirë.
Syla pohoi se si asnjëherë më parë institucioni i prokurorit të shtetit dhe KPK-ja kanë qenë transparentë dhe llogaridhënës para qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke proceduar në baza periodike punën e sistemit prokurorial në luftimin e korrupsionit nga mekanizma të jashtëm.
Ai shtoi se kanë pasur dhe ende kanë probleme në zbatimin e disa vendimeve.
“Puna e prokurorëve në luftimin e korrupsionit sipas obligimit të planit të veprimit është bërë publike vazhdimisht përmes koordinatores nacionale, kryeprokurores, të gjitha prokurorive dhe Këshillit Prokurorial. Në këtë drejtim padyshim ka shërbyer një monitorim dhe vlerësim i pavarur dhe profesional i zhvilluar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili vazhdimisht ka bashkëpunuar ngushtë dhe ka përfshirë gjitha anët e medaljes në raportet periodike që i ka publikuar rreth zbatimit të planit të veprimit për rastet e korrupsionit. IKD-ja dhe KPK-ja edhe tash kanë bashkëpunuar ngushtë dhe ky bashkëpunim ka prodhuar rezultate konkrete në ngritjen e transparencës, llogaridhënies dhe shtimin e efikasitetit në sistemin prokurorial në luftimin e korrupsionit”, tha ai.
Mirëpo, sipas Sevdije Morinës, anëtare e Këshillit Prokurorial, raportet e IKD-së kanë ndikuar në dëmtimin e imazhit të sistemit prokurorial, duke kërkuar që të shpallet një konkurs dhe pastaj të zgjidhet se kush të merret për këtë çështje.
“Prokurorët e Prokurorisë Speciale po ashtu mendojnë se raportet e IKD-së kanë ndikuar edhe në dëmtimin e imazhit të sistemit prokurorial, duke potencuar kryesisht çështje negative, duke nxjerrë prej konteksti dhe duke folur vetëm për mossuksesin e duke anashkaluar dhe heshtur çështjet pozitive, anët pozitive dhe sukseset që prokurorët, jo vetëm në Prokurorinë Speciale por në gjithë sistemin i kanë arritur. Është mendim i prokurorëve që IKD-ja gjatë kësaj periudhe kohore të monitorimit të punës të prokurorive lidhur me rastet e korrupsionit ka dalë edhe jashtë mandatit, ka dalë edhe jashtë kornizës kohore. Nëse prapë vendoset që këtij këshilli t’i vazhdohet mandati, që të vazhdohet me mbikëqyrje të punës së prokurorëve në fushën e luftimit të korrupsionit, është mendim i Prokurorisë Speciale që kjo të bëhet me një garë mes OJQ-ve që të shpallet një konkurs dhe ne të përzgjedhim në mesin e atyre që konkurrojnë”, pohoi ajo.
Përderisa Morina kërkoi që të shpallet një konkurs për organizata joqeveritare, këtë e kundërshtoi Ehat Miftaraj, anëtar i Këshillit Prokurorial, duke thënë se IKD-ja jep vetëm ato informacione që i lejon ligji.
Ai tha se vetëm në një rast deri më tani Prokuroria Speciale i ka dhënë vërejtje IKD-së.
Kundër të gjithë këtyre deklaratave ishte Betim Musliu, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, duke thënë se deri më tani në asnjë rast nuk kanë pasur vërejtje për raportet që i kanë dorëzuar, duke shtuar se vet përfaqësuesit dhe Këshilli Prokurorial ju kanë siguruar të dhëna për raportet, raste që, sipas Musliut, më vonë janë avulluar.
“Në asnjë rast, nuk ka pasur as edhe një vërejtje të vetme në lidhje me të gjitha raportet të cilat janë përpiluar dhe janë publikuar deri më sot . Nuk e di se sa është e qartë nga zonja Morina, fakti që mund të përpilohet një raport dhe e drejta që ne si Institut gjatë monitorimit dhe vlerësimit çka mund të përfshijmë në raport . Në komentin e parë në raportin i cili është publikuar në shtator 2014 ka ardhë një koment nga prokuroria Speciale që thuhet se ne nuk është dashur që të përmendim faktin se në këtë prokurori ka pasur prokurorë që për pesë vite kanë punuar në këtë prokurori speciale dhe e kanë zgjidhur vetëm një rast dhe ai rast ka qenë aktakuzë për armëmbajtje pa leje dhe komenti i dytë në raportin e publikuar më 26 dhjetor ka pasur të bëjë me raste që ne i kemi evidentuar jo nga të dhënat tona por nga të dhënat që na i keni siguruar vet ju si përfaqësues të prokurorive dhe Këshill Prokurorial, raste që janë avulluar në regjistra”, pohoi Musliu.
Edhe Hajredin Kuçi, anëtar i Këshillit Prokurorial, pohoi se edhe shoqëria civile duhet t’i monitorojë rastet siç janë këto me prokurori, duke thënë se përpos IKD-së, konkurrentë në këtë çështje mund të jenë edhe të tjerët.
Rahmoon Palmino, përfaqësues i EULEX-it, tha se vazhdimi i memorandumit duhet të merret në konsideratë në një afat të shkurtër, në mënyrë që KPK-ja të vendosë se çfarë udhëzime të nxjerrë dhe t’i nënshkruajë ato udhëzime qoftë me organizata joqeveritare, qoftë edhe me institucione të tjera, raporton KosovaPress.