Këshilli Prokurorial dhe ZKPSH: Zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas shijeve, interesave dhe nevojave ditore të Kryeministrit

Këshilli Prokurorial  dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë reaguar në lidhje me mos-paraqitjen e kryeministrit Albin Kurti sot për të dëshmuar pas disa thirrjeve radhazi, si dhe deklarimet e tij në kuadër të prokurorëve. KPK ka deklaruar se me rastin e deklaratave të sotme publike të dhëna nga Kryeministri Albin Kurti, për mosparaqitjen e…

Lajme

04/03/2025 14:03

Këshilli Prokurorial  dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë reaguar në lidhje me mos-paraqitjen e kryeministrit Albin Kurti sot për të dëshmuar pas disa thirrjeve radhazi, si dhe deklarimet e tij në kuadër të prokurorëve.

KPK ka deklaruar se me rastin e deklaratave të sotme publike të dhëna nga Kryeministri Albin Kurti, për mosparaqitjen e tij në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshmi në cilësinë e dëshmitarit, përkitazi me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore, edhe pse Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhër për paraqitjen e tij në prokurori “Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, rikujtojnë se zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas shijeve, interesave dhe nevojave ditore të Kryeministrit në detyrë, duke dhënë deklarata jashtë parimeve bazë të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”.

Sipas KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, këto deklarime përbëjnë vetëm pikëpamje dhe botëkuptime personale që ka ai për sundimin e ligjit, sepse veprimet për zbatimin e ligjit janë detyrim, jo vetëm për sistemin prokurorial, por edhe Kryeministrin, Qeverinë, por edhe për cilindo institucion tjetër dhe qytetar të vendit.

“KPK dhe ZKPSH, potencojnë se deklaratat e dhëna në vazhdimësi nga Kryeministri Kurti e dëmtojnë seriozisht funksionimin e institucioneve demokratike dhe kanë për qëllim minimin e angazhimit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”,thuhet në njoftim.

Sipas KPK dhe ZKPSH pa marrë parasysh përpjekjet për degradimin e organeve kushtetuese nga ana e Kryeministrit Kurti, KPK dhe Prokurori i Shtetit inkurajojnë dhe mbështesin fuqishëm Prokurorinë Speciale për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore të saj, siç janë hetimi, ndjekja dhe ndriçimi i secilit rast penal që bie në kompetencë të saj, me qëllim të ngritjes së moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit në vendin tonë./Lajmi.net/