Këshilli i Prindërve të Arsimit të Kosovës, i shqetësuar me grevat në arsim
Grevat e vazhdueshme që po mbahen në shkollat e Kosovës, ka ngjallur shqetësimin e Këshillit i Prindërve të Arsimit të Kosovës. Ata përmes një komunikate i kanë bërë thirrje MASHT-it dhe SBASHK-ut, që të gjejnë forma për të kaluar këtë gjendje.

Lajme
Këshilli i Prindërve të Arsimit të Kosovës, ka shprehur shqetësimin e tyre lidhur me vazhdimin e grevës së mësimdhënësve të organizuar nga SBASHK-u.
Sipas një komunikate të Këshillit të Prindërve të Arsimit të Kosovës, i bëhet apel SBASHK-ut, që mos tu bëjë thirrje nxënësve për bojkotim të mësimit.
Po ashtu ky këshill i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit dhe SBSHK-ut, që të gjejnë forma për të kaluar këtë gjendje.
“Këshilli i Prindërve të Arsimit të Kosovës vazhdon të jetë i shqetësuar me vazhdimin e organizimit të grevave dhe thirrjeve për greva të reja të mësimdhënësve nga ana e SBASHK-ut”
“Shqetësimi është edhe më i madh për faktin se as SBASHK-u, e as MASHT-i, nuk po gjejnë mundësitë dhe modalitetet e arritjes së një marrëveshje të qëndrueshme e cila do normalizonte raportet dhe do të realizoheshin kërkesat e mësimdhënësve”.
“Ne, Këshilli i Prindërve, nëpërmes kësaj komunikate iu bëjmë apel edhe njëherë; si SBASHK-ut po ashtu edhe MASHT-it që urgjentisht të gjejnë forma dhe mundësi ligjore që kjo gjendje të tejkalohet dhe mësimi të zhvillohet normalisht në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës”.
“Po ashtu, i bëjmë apel SBASHK-ut, që mos të bëjë thirrje për nxënës për mosmbajtje të orëve mësimore, ashtu siç veproi para grevës së fundit sepse askush nuk ka të drejtë ligjore e as morale ta privoj të drejtën e fëmijëve për mësim, kurse për realizimin e kërkesave të tyre të gjejnë mundësi dhe modalitete tjera sindikaliste dhe ligjore ,por kurrsesi duke përdorur nxënësit si mburojë”.
“Këshilli i Prindërve të Kosovës, u bënë thirrje të gjithë nxënësve për vijim të rregullt të procesit edukativo-arsimor kurse nga prindërit e tyre kërkojmë që fëmijët ti dërgojnë me kohë në shkollë në mënyrë që mësim të mbahet sipas orarit të paraparë dhe mos të vijë deri te ndërprerja e mësimit, sepse çdo ndërprerje e mësimit dhe çdo humbje e orëve mësimore, është humbje në radhë të parë për vetë nxënësit”, thuhet në komunikatë.