Këshilli i Mandateve i hap rrugën arrestimit të dytë të deputetit Frroku
Të gjithë anëtarët e Këshillit të Mandateve edhe njëher kanë rënë dakord për heqjen e imunitetit për deputetin e mazhorancës, Mark Frroku për rastin e "Belgjikës", pasi ditë më parë ndaj të njëjtit deputet dhe me të njëjtin vendim ishin dakorduar për rastin "Doshi". Procesi pritet që të kalojë ditën e enjte në Kuvend, i cili do të votojë për arrestimin ose jo të Mark Frrokut, i cili që prej një jave po mbahet në arrest shtëpiak.
Lajme
Këshilli i Mandatave, Rregullores dhe Imunitetit, u mblodh për një seancë dëgjimore për të shqyrtuar kërkesën e Interpolit të lëshaur nga Belgjika për ekstradimin e deputetit kristian-demoktat në Parlamentin Shqiptar.
Disa ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi leje nga Kuvendi për arrestimin e Frrokut, leje e cila duket se u mbështet nga të dyja palët. Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes këshilli i dërgoi Kuvendit kërkesën e Prokurorisë.
Frroku të martën është shoqëruar nga forcat e policisë deri në Parlament, ku mbahej mbledhja e Këshillit të Mandateve, për shkak se është në “arrest shtëpie” pas vendimit të Gjykatës së Lartë për çështjen “Doshi”.
Çështja “Doshi” ka të bëjë me deputetin tjetër shqiptar, Tom Doshi, i cili ka akuzuar kryeparlamentarin Ilir Meta se ka paguar sekserët për vrasjen e tij. Këto akuza i ka mbështetur edhe Frroku, por pas hetimeve nga Prokuroria, që të dy deputetët mbahen në arrest shtëpiak, për shkak se dyshohet se kanë sajuar akuzat kundër kryeparlamentarit.
Frroku: Nuk kam kryer asnjë vrasje në Belgjikë
Fjalën në Mbledhjen e Këshillit të Mandateve e ka marrë edhe deputeti Mark Frroku, i cili ka mohuar të ketë kryer ndonjë krim në Bruksel.
“Nuk jam dëshmitar kyç i çështjes “Doshi”, – tha Frroku. Jemi mbledhur sot vetëm për akuzat që rëndojnë ndaj meje. Familjarët e mia bashkë me ata të viktimës kanë pasur një takim, jo ai që ka dalë në media. Babai im është 85 vjeç dhe ecën me të drejtën zakonore, ndërsa unë me të drejtën e ligjit. Kjo çështje është sqaruar se ata kishin disa kërkesa. Jam kthyer me 22 shkurt nga Amerika e Veriut, kam udhëtuar në vendet Shengen dhe kjo vërtetohet nga sistemi TIMS. Nuk kam pasur asnjë problem me drejtësinë, as këtu dhe as në ndonjë vend tjetër”, ka thënë Frroku.
Po ashtu, kanë folur edhe avokatët e Frrokut, Saimir Vishaj dhe Genc Gjokutaj që ishin të pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, Rregullores dhe Imunitetet. Ata u shprehën se kërkesa për arrestimin dhe ekstradimin e klientit të tyre është e paligjshme. Avokati Vishaj ka thënë se do të kërkojë rrëzimin e kërkesës, pasi ajo është ngritur në pretendime dhe jo në fakte.
Ndërkohë, të martën paradite, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare, Artan Didi, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kjo pozitë, por nuk ka dhënë detaje për arsyet e largimit të tij.
Didi, në një mbledhje të mbajtur me dyer të mbyllura ka informuar vartësit e tij për dorëheqjen, por sipas Gazetës Shqip, arsyeja duhet të jetë skandali me fshehjen e kërkesës së Interpolit për arrestimin e deputetit të mazhorancës, Mark Frroku.
Vendimi për dorëheqje i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Shqiptare vjen pas arrestimit të shefit të zyrës së Interpol Tirana, Artan Bajraktari dhe specialistes Loreta Alla.
Bajraktari dhe Alla u prangosën nën akuzën se nuk ia kishin përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë apo institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit kërkesën e janarit të lëshuar nga Interpoli belg për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të deputetit të mazhorancës, Mark Frroku.