Këshilli Drejtues i kushton UP-së mbi 100 mijë euro

Rreth 110 mijë euro të buxhetit të shtetit kanë shkuar gjatë këtij viti vetëm në xhepat e nëntë anëtarëve të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, pesë nga të cilët janë zgjedhur nga Senati dhe katër të tjerë të emëruar nga Ministria e Arsimit.

Lajme

29/12/2014 09:08

Nga kjo shumë, 90 mijë euro, u janë paguar vetëm për shtesat si anëtarë të këtij Këshilli, kurse afro 21 mijë euro të tjera u janë paguar për mbushje të telefonave celularë dhe për derivate të naftës.

“Koha Ditore” ka siguruar dokumente që dëshmojnë se secili nga pesë anëtarët e KD-së, të emëruar nga Senati: Beqir Sadikaj, Behxhet Mustafa, Ajvaz Berisha, Blerim Kamberi dhe Safet Merovci, u janë paguar gjatë 12 muajve të vitit, nga 11 mijë e 400 euro në vit nga shtesat prej 950 euro që kanë marrë brenda një muaji.

E pos këtyre të hyrave, ata po ashtu kanë marrë nga 100 euro në muaj mjete të buxhetit për derivate të veturave, si dhe nga 130 euro të tjera mbushje telefoni. Të gjitha këto, vetëm pse janë anëtarë të Këshillit Drejtues.

Ndërkaq, që secili prej tyre ka realizuar edhe mijëra euro të hyra të tjera, nga pagat si profesorë të UP-së.

Kurse, katër anëtarët e tjerë të Këshillit: Shefkije Islamaj, Leon Malazogu, Luan Shllaku dhe Halim Hyseni janë paguar për dhjetë muaj, si anëtarë të KD-së, meqë kanë nisur mandatin që nga muaji mars, kur paraardhësit e tyre patën dhënë dorëheqje nga postet pas dorëheqjes së ish-rektorit, Ibrahim Gashi.

Bazuar në dokumente që posedon “Koha Ditore” del se afro 12 mijë euro para të buxhetit të shtetit i kanë marrë tetë anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së, vetëm për mbushje telefoni, gjatë këtij viti.