KESCO merr vendimin e ZRRE-së për tarifat: Ka paqartësi se si duhet të veprojmë si operatorë

KESCO nëpërmjet një komunikate për media ka bërë të ditur se kanë pranuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për çështjen e tarifave.

Lajme

23/05/2022 11:47

Ky vendim i dërguar nga ZRRE sipas KESCO ka paqartësi se si duhet të veprojnë këta të fundit si operatorë, shkruan lajmi.net.

KESCO pohon të kenë kërkuar sqarim nga ZRRE-ja dhe posa të marrin përgjigje do të ndjekin udhëzimet e dhëna.

Nga KESCO thonë se pavarësisht zhvillimit në këtë proces si rezultat i vendimit të gjykatës, operatori dëshiron t’i sigurojë konsumatorët që s’do të dëmtohen.

“Çdo proces, i cili do të bazohet tërësisht në udhëzimet e ZRRE-së, do të jetë transparent dhe do t’iu shpjegohet në detaje konsumatorëve.”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

KESCO ka pranuar vendimin e ZRRE për aplikimin e tarifave

KESCO njofton konsumatorët se ka pranuar të premtën në mbrëmje nga ZRRE vendimin për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të ZRRE-së për Tarifat e Energjisë Elektrike të marrë më 8 shkurt 2022.

Por, ky vendim që është dërguar nga rregullatori ka paqartësi se si duhet të veprojmë ne si operatorë. Për të shmangur keqkuptimet të cilat potencialisht mund të prekin konsumatorët, ne kemi kërkuar sqarime nga ZRRE.

Sapo të marrim një përgjigje dhe sqarim nga rregullatori se si të veprojmë, ne do të ndjekim udhëzimet në tërësi.

Pavarësisht nga zhvillimi në këtë proces që ka ardhur si rezultat i vendimit të fundit të gjykatës dhe udhëzimeve të pritshme që do të marrim si operator nga ZRRE-ja, dëshirojmë t’i sigurojmë konsumatorët që nuk do të dëmtohen në asnjë rrethanë.

Çdo proces, i cili do të bazohet tërësisht në udhëzimet e ZRRE-së, do të jetë transparent dhe do t’iu shpjegohet në detaje konsumatorëve.

KESCO ka qenë gjithmonë në anën e konsumatorëve. Kjo është dëshmuar në praktikë edhe kohët e fundit, kur vullnetarisht kishim zgjeruar pragun e shpenzimeve, në mënyrë që sa më pak konsumatorë të prekeshin nga tarifat e reja gjatë muajit shkurt, duke mbuluar vet shpenzimet mbi prag për një pjesë të tyre.

Në bazë të vendimeve të organeve kompetente, ne si kompani ekzekutive do të veprojmë me përgjegjësi ashtu siç kemi vepruar në çdo rrethanë.

Ne mbetemi të përkushtuar për të bërë më të mirën për klientët, edhe në këtë kohë të vështirë. /Lajmi.net/