KESCO: Aplikimi tarifor nuk është vendim për rritje çmimi, por kërkesë për njohjen e kostove – ZRRE vendos gjithçka

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë KESCO ka konfirmuar se ka dorëzuar aplikimin tarifor për vitin 2026 pranë ZRRE, duke theksuar se në këtë fazë nuk bëhet fjalë për vendim përfundimtar për çmimin e rrymës. Në një përgjigje për Lajmi.net, KESCO bën të ditur se aplikimi është dorëzuar në përputhje me kalendarin rregullator…

Lajme

29/01/2026 16:24

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë KESCO ka konfirmuar se ka dorëzuar aplikimin tarifor për vitin 2026 pranë ZRRE, duke theksuar se në këtë fazë nuk bëhet fjalë për vendim përfundimtar për çmimin e rrymës.

Në një përgjigje për Lajmi.net, KESCO bën të ditur se aplikimi është dorëzuar në përputhje me kalendarin rregullator dhe metodologjinë e miratuar nga ZRRE.

Sipas kompanisë, aplikimi paraqet një kërkesë për njohjen e kostove të arsyetuara dhe të dokumentuara, të cilat konsiderohen të domosdoshme për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë për konsumatorët.

“Kostot tona janë në masë të madhe reflektim i kostove që krijohen përgjatë gjithë sektorit elektroenergjetik, përfshirë prodhimin, transmetimin, shpërndarjen, kushtet e tregut dhe obligimet rregullatore”, thuhet në përgjigje.

KESCO thekson se procesi i shqyrtimit tarifor është gjithëpërfshirës dhe përfshin vlerësimin e aplikimeve të të gjithë të licencuarve në sektorin e energjisë, andaj sipas tyre është herët të flitet për shifra konkrete apo për nivelin e mundshëm të ndryshimeve tarifore.

Megjithatë, kompania bën të ditur se, bazuar në vlerësimet preliminare dhe të dhënat aktuale, kërkesa për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 është paraqitur në vlerë të përgjithshme prej rreth 528.8 milionë euro.

Kjo shumë, sipas KESCO-s, përfshin edhe rreth 49.5 milionë euro që lidhen me tejkalime të kostove gjatë vitit 2025, të shkaktuara nga kushtet e tregut dhe faktorë jashtë kontrollit të furnizuesit.

Nga kompania ritheksohet se kjo shifër përfaqëson vetëm një kërkesë për njohje të kostove dhe jo vendim përfundimtar tarifor. Vlerësimi dhe miratimi përfundimtar, si dhe çdo reflektim i mundshëm në tarifa, do të bëhet nga ZRRE pas përfundimit të procesit rregullator dhe konsultimit publik./Lajmi.net/