Kërkon përgjigje për fletëvotimet

Aleksandar Vucic thotë se Beogradi do të kërkojë nga Brukseli përgjigje se kush qëndron prapa vendimit që fletëvotimet e zgjedhjeve në Veriun e Mitrovicës të barten për numërim në Fushë Kosovë.

Lajme

18/11/2013 19:53

Zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vucic, është duke e munduar një gjë.

Ai dëshiron ta dijë pse fletëvotimet e zgjedhjeve të përsëritura në Veriun e Mitrovicës, të dielën, janë bartur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë Kosovë.

Vucic ka deklaruar se Beogradi do të kërkojë nga Brukseli përgjigje se kush qëndron prapa vendimit që fletëvotimet e zgjedhjeve të përsëritura në Mitrovicë janë numëruar jashtë Mitrovicës.

“Nuk mund ta kuptojmë se pse OSBE barti kutitë me fletëvotime në Fushë Kosovë, përderisa asnjë vend nuk ishte i kërcënuar. Kjo në vendet demokratike nuk ndodh”, ka thënë Vucic, raportojnë mediat serbe.

Vucic ka përmendur se në vendvotimet në Veri të Mitrovicës nuk ka pasur asnjë incident, prandaj ka thënë se është plotësisht e paqartë pse dikush ka vlerësuar që nuk ishte i sigurt numërimi i votave në Mitrovicë.

Ai ka thënë se vendimin që kutitë të dërgohen në Fushë Kosovë nuk e ka marrë KQZ, por OSBE.

“Ne i pyesim njerëzit nga OSBE që të na e sqarojnë se në cilat parime demokratike janë thirrur kur kanë marrë një vendim të tillë, cili ishte qëllimi i bartjes së kutive me vota në Fushë Kosovë dhe natyrisht se kush qëndron prapa një vendimi të tillë? Kështu që, këto pyetje ne do t’i parashtrojmë në Bruksel gjatë takimeve”.