Kërkon njohjen edhe nga Kameruni

Ministri Enver Hoxhaj, në takimin me Presidentin e Asamblesë së Kamerunit, Yeguie Djibril, ka kërkuar njohje nga ky shtet. Djibril ka shprehur gatishmëri për krijimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve.

Lajme

19/01/2014 18:25

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, pas një jave qëndrimi në Europë, ka vazhduar turneun diplomatik dhe lobimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet afrikane.

Në agjendën e tij lobuese, siç njofton MPJ, Hoxhaj ka takuar Presidentin e Asamblesë së Kamerunit, Yeguie Djibril, nga i cili ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe mundësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike pas vendimit të mundshëm për njohjen e shtetit.

“Krahas agjendës europiane dhe multilaterale të Kosovës për këtë vit si prioritet mbi prioritetet, sigurimi i njohjeve për Kosovën është në planet e mia dhe të Qeverisë së Kosovës, për ta përmbyllur procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Mund të them se zhvillova një takim shumë produktiv dhe në një të ardhme të afërt presim njohjen nga ky vend”, ka thënë Ministri Hoxhaj.

Presidenti Djibril, ndërkaq, siç thuhet në komunikatën e MPJ’së, është shprehur i kënaqur dhe optimist për të ardhmen e përbashkët ndërmjet vendeve, pas vendimit për njohjen e Kosovës nga ana e Kamerunit.