Kërkojnë transport deri në Pallatin e Drejtësisë, ju mohohet
Qindra punëtorë të institucioneve të drejtësisë pritet të nisin punën në Pallatin e Drejtësisë nga muaji shkurt.
Lajme
Pasi janë njoftuar për të filluar bartjen e lëndëve dhe aseteve në ndërtesën e re, përfaqësuesit e punëtorëve po kërkojnë që t’iu sigurohet transporti për në Veternik, rreth 4 km larg kryeqytetit,raporton KTV.
Kryetari i Federatës Sindikale të Judikaturës, Asllan Rusinovci ka thënë se kërkesën për transport ia kanë dërguar Këshillit Prokurorial të Kosovës. Por, Këshilli nuk do të marrë parasysh kërkesën e tyre, pasi që nuk ka bazë ligjore për një gjë të tillë.
Në një përgjigje me shkrim, Sekretariati i Këshillit Gjyqësor është përgjigjur se kërkesa për sigurimin e transportit nuk mund të realizohet, ngase nuk rregullohen me ndonjë dispozitë ligjore shpenzimet e udhëtimit deri në vendin e punës.
Pallati i Drejtësisë ishte paraparë të lëshohej për shfrytëzim shumë më herët, por në vitin 2012 ishte dëmtuar rëndë nga një zjarr. (KTV)