Kërkohet zgjidhje për klimatizimin në Pallatin e Drejtësisë

Me temperatura të larta e mosfunksionim të klimatizimit po përballen gjykatat që funksionojnë në Pallatin e Drejtësisë. Zyrtarë dhe sindikalistë të Gjykatës Themelore të Prishtinës thonë se në këtë gjykatë temperaturat kanë arritur deri në 34 gradë. Sipas tyre, duhet zgjidhje urgjente për temperaturat e larta brenda gjykatës, që po ndikojnë keq në shëndetin e…

Lajme

06/07/2025 13:11

Me temperatura të larta e mosfunksionim të klimatizimit po përballen gjykatat që funksionojnë në Pallatin e Drejtësisë.

Zyrtarë dhe sindikalistë të Gjykatës Themelore të Prishtinës thonë se në këtë gjykatë temperaturat kanë arritur deri në 34 gradë. Sipas tyre, duhet zgjidhje urgjente për temperaturat e larta brenda gjykatës, që po ndikojnë keq në shëndetin e stafit dhe procesin e punës.

Temperaturat e larta që po mbizotërojnë në vendin tonë, po vërehen fort e po shkaktojnë telashe edhe në Pallatin e Drejtësisë, ku funksionojnë Gjykata Supreme, e Apelit, Komercialja dhe Gjykata Themelore e Prishtinës.

Në ambientet e kësaj të fundit, temperaturat janë thuajse të ngjashme me temperaturat që janë në ambiente të jashtme. Kjo, gjendje ka krijuar vështirësi në procesin e punës, pohon për Radio Kosovën, zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Në objektin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, klimatizimi nuk është duke funksionuar dhe si pasojë e kësaj, temperaturat në zyrat e gjykatës dhe sallat e gjykimit kanë arritur deri në 34 gradë. Kjo gjendje ka krijuar kusht të vështira për punë, për gjyqtarët, stafin e gjykatës e po ashtu edhe për palët në procedurë”, tha ajo.

Për problematikën me sistemin e ajrosjes, shqetësime ka edhe kryetari i Shoqatës Sindikale të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi, i cili kërkon zgjidhje, teksa thotë se jeta e punëtorëve është në rrezik.

“Shpesh ka alivanosje, se kërkime të trajtimit mjekësor kemi për çdo ditë të Zotit. Kushtet për punë janë zero, e jeta e punëtorëve këtu është në rrezik. Të ishte ky objekt privat, besoj se zgjidhja do të bëhej për tri ditë. Unë nuk e di se pse po e neglizhon Ministria e Punëve të Brendshme, kur gjithë ky objekt që ka kushtuar mbi 30 milionë, me thënë s’ka klima me u pajisë, është për habi!”, theksoi ai.

Sindikalisti Rrustemi thotë se tashmë është bërë një inspektim që konstaton mungesën e kushteve për punë.

Ndërkohë, si pasojë e temperaturave të larta, kushteve të rënda për punë e me qëllim të mbrojtjes të shëndetit të punëtorëve, Gjykata Themelore e Prishtinës, tashmë ka ndërmarrë disa masa, thekson zëdhënësja Gashi.

“Gjykata ka reduktuar orarin e punës nga ora 08:00 deri në ora 14:00. Shërbimet administrative do të mbeten funksionale edhe pas orës 14:00, vetëm me staf të kufizuar. Seancat gjyqësore të cilat janë të caktuara pas orës 14:00, do të zhvillohen sipas orarit të paraparë, përveç rasteve kur gjyqtari i rastit apo trupi gjykues vlerëson se kushtet e punës nuk e lejojnë mbajtjen e tyre”, tregoi Gashi.

Masa të ngjashme, të imponuara nga temperaturat e larta në Pallatin e Drejtësisë, kanë ndërmarrë edhe Gjykata Supreme, e Apelit dhe Gjykata Komerciale, bazuar në një vendim të Këshillit Gjyqësor, të 27 qershorit.