Kërkohet rregullore e përhershme për ndalimin e punës gjatë temperaturave ekstreme

Në temperatura të larta e nën diell. Edhe këtë të shtunë, punëtorët e ndërtimtarisë po e kryejnë  punën e tyre si zakonisht. Megjithëse Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kërkoi nga institucionet relevante që puna për këtë sektorë, gjatë temperaturave të larta të ndërpritet, nga ora 11:00 deri në 17:00, një gjë e tillë…

Lajme

20/06/2026 22:55

Në temperatura të larta e nën diell.

Edhe këtë të shtunë, punëtorët e ndërtimtarisë po e kryejnë  punën e tyre si zakonisht.

Megjithëse Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kërkoi nga institucionet relevante që puna për këtë sektorë, gjatë temperaturave të larta të ndërpritet, nga ora 11:00 deri në 17:00, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Për orarin e propozuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Sindikata e Sektorit Privat kërkon që të jetë rregullore e përhershme.

“Ne për çdo vit kemi kërkuar që në momentet kur kalojnë temperatura për 32 gradë shteti i Kosovës është dashur të nxjerrë një rregullore që në mënyrë automatike e në veçanti punëtorët e ndërtimtarisë që duhet të ndërpriten punët në mënyrë automatike.  Pra e dimë nga e kaluara që nuk e ka nxjerrë një vendim të tillë edhe pse vendet e tjera përreth e kanë këtë. Ministri i Shëndetësisë zakonisht kur ka temperature të mëdha nxjerrë një vendim ose udhëzim administrative për të cilën obligohen kompanitë. Po megjithatë, ka shkuar kohë bukur e gjatë që punëtorët kanë punuar në temperature 35 e 36 gradë”, deklaroi kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi.

Edhe pse IKPSHK-ja vitin e kaluar ka kufizuar orarin e punës për disa kategori, duke përfshirë këtu edhe sektorin e ndërtimtarisë, sipas Azemit kjo nuk është respektuar çdo herë.

“Nuk po respektohet po flas nga tereni, sepse herë thonë nuk e dimë dhe herë kanë arsye të ndryshme. Po unë e di që nëse ju kemi thënë po vjen inspektorati nuk janë frikësuar fort, por kur ju kemi thënë që po i sjelli media atëherë ka pasur rezultat. Përndryshe në rrugën Podujevë- Prishtinë kur është punuar vjet është punuar me asfalt në një temperaturë, e cila, vetvetiu e rrit temperaturën përmbi 20 gradë, kanë punuar në kushte të jashtëzakonshme. Po kjo duhet të nxjerrët rregullore e të mos bisedohet për të për çdo vit”, tha ai.

Ndërsa sipas ekspertit të sigurisë në punë, Enver Bajraktari janë disa masa që duhet të merren para se të vendoset një kufizim i tillë.

“Punëtorëve duhet të u sigurohet ujë i pijes e që duhet të pihet dy herë më shumë në ditët me vapë, të i ndjekin hijet, të bëjnë orarin e punës të kufizuar.  Në orën 11:00 deri në 17:00 kur është vapa më e madhe të i bëjnë disa punë që mund të i kryejnë diku tjetër që është më freskët. Por nëse janë të pashmangshme këto ambiente që nuk mund të sigurohen, atëherë mund të vije deri tek ndërprerja e punës, por kur ka temperature mbi 35 gradë. E që është një hierarki mbi 30 gradë fillojmë me marrjen e masave e që do të thotë masat shtesë për siguri në punë, mbi 35 kontroll i veçantë i punëve që do të thotë duhet të fillojmë disa punë të i ndërpremë e gjithë kjo bëhet për ruajtën e shëndetit të punëtorëve”, tregoi Bajrami.

Edhe nga  Inspektorati Qendror i Punës bëjnë thirrje për kujdes të shtuar  gjatë temperaturave të larta.